Policia Kufitare ndërmerr aksion masiv përgjatë vijës bregdetare, bllokohen 30 mjete lundruese, shpëtohen 13 persona

Kronikë | 1 vit më parë

Gjatë një aksioni intensiv të quajtur “Siguria Detare”, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë rritur ndjeshëm kontrollet në brigjet shqiptare, nga Ksamili në Velipojë, me qëllim garantimin e sigurisë për pushuesit dhe zbatimin e rregullave të lundrimit. Operacioni rezultoi me bllokimin e dhjetëra mjeteve lundruese dhe shpëtimin e disa pushuesve në rrezik.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, gjatë kësaj jave janë kontrolluar gjithsej 431 mjete lundruese. Si pasojë e shkeljeve të ndryshme, 30 prej tyre u bllokuan, kryesisht për shkak të shkeljes së perimetrit të sigurisë, lundrimit në zona të ndaluara ose mungesës së dokumentacionit përkatës.

Mjetet e bllokuara përfshijnë 18 jet ski, 7 skafe, 3 gomone dhe 2 varka metalike me motor. Mes tyre, 12 mjete lundruese u kapën duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë gjobitur me një masë administrative prej 100,000 lekësh secili.

Përveç veprimit ndëshkues, aksioni i Policisë ka pasur edhe një dimension humanitar. Në total, janë kryer 7 operacione shpëtimi, ku falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë Kufitare, u nxorën nga rreziku 13 shtetas, shqiptarë dhe të huaj. Këta persona kishin mbetur në vështirësi për shkak të dallgëve të forta ose defekteve në mjetet e tyre.

“Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të respektojnë rregullat, duke mos shkelur perimetrin e sigurisë dhe duke lundruar vetëm në zonat e lejuara. Po ashtu, theksohet rëndësia e pajisjes me mjetet e nevojshme të shpëtimit.

Për çdo shkelje të rregullave të sigurisë në det, Policia fton qytetarët të denoncojnë menjëherë në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë dhe masa konkrete ndaj shkelësve.”, thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme