Vjedhjet në sezonin veror, rekomandohet mospublikimi i vendodhjes së pronës në rrjetet sociale

Aktualitet | 1 vit më parë

Kasafortat, paratë kesh apo sendet me vlerë. Ky është fokusi i hajdutëve në këtë sezon Vere, teksa mijëra qytetarë i drejtohen rajoneve bregdetare, liqenore, lumore apo edhe malore, për të kaluar pushimet e Verës.

Në këtë situatë, ku çdo familje mund të rrezikohet menjëherë pas largimit nga banesa, autoritetet policore thoi se duhet të tregohen të kujdesshëm.

Një nga këshillat që japin ekspertët e sigurisë publike është mospublikimi në rrjete sociale i vendndodhjes aktuale, mbikëqyrja e pronës përmes kamerave të sigurisë ose të ndonjë personi të afërt apo edhe marrjen e masave shtesë gjatë largimit nga banesa për udhëtime.

Të dhënat e uniformave blu saktësojnë, se gjatë sezonit të Verës numri i vjedhjeve rritet, ndërsa të përfshirë në këtë aktivitet janë kryesisht të rinj dhe përsëritës të kësaj vepre penale.

Të dhënat flasin se në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar rreth 500 raste vjedhjesh në banesa, biznese apo edhe automjete në të gjithë vendin.

Pas denoncimeve përkatëse, uniformat blu kanë realizuar rreth 150 operacione për zbardhjen e këtyre veprave penale, ku janë goditur 7 grupe kriminale.

Si rezultat i hetimeve të kryera është zbardhur më shumë se gjysma e këtyre vjedhjeve.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme