Rama prezanton reformën në territor: Nis ‘Rilindja Urbane 2.0’ dhe krijimi i ‘listës së zezë’ për ndërtuesit abuzues

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një reformë të re dhe të gjerë të territorit, e cila do të zhvillohet në dy faza. Kjo nismë përfshin nisjen e aksionit ‘Rilindja Urbane 2.0’ për lirimin e hapësirave publike, si dhe krijimin e një ‘liste të zezë’ për të penalizuar ndërtuesit abuzues dhe mashtrues.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike

Gjatë një takimi me deputetët dhe drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Rama bëri të ditur se vetëm në kryeqytet janë inventarizuar 1463 problematika, shumica e të cilave lidhen me zënien e hapësirave publike. Ai theksoi se “kjo nismë, e cila filloi me situatën në Theth, tashmë po shtrihet edhe në qytete të tjera si Durrësi dhe Shkodra.”

Për të trajtuar të gjitha aspektet e kësaj nisme, janë ngritur disa grupe pune, përfshirë një grup i drejtuar nga zëvendëskryeministri për analizën e shërbimeve të Bashkisë Tiranë dhe një grup tjetër i koordinuar nga Ministria e Financave për analizën e financave.

Rama u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë durim, duke theksuar se “të gjitha çështjet do të adresohen, por kërkojnë kohë”, ndërsa i inkurajoi ata të vazhdojnë të dërgojnë ankesa.

Rama: Reforma e territorit do të ndahet në dy faza, nisim me akte normative urgjente

Rama ka bërë të ditur se paketa e re e reformës së territorit do të zhvillohet në dy faza. Kjo nismë synon të ndërhyjë me shpejtësi në çështje urgjente, si dhe të rishikojë ligjet e vjetruara që lidhen me ndërtimin dhe menaxhimin e territorit.

“Qeveria do ndërhyjë në kushtet e emergjencës me një numër aktesh dhe akte normative që do jenë paralelisht edhe me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe mbetjet,” tha Rama, duke shpjeguar fazën e parë të planit.

Faza e dytë, sipas kryeministrit, do të jetë një proces më i gjerë ku do të rishikohen të gjitha ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me territorin. Ai theksoi se ligji për ndërtimin është shumë i vjetër dhe i mbetur jashtë kohe, duke nënvizuar nevojën për ndërhyrje të thella dhe të domosdoshme në legjislacion.

“Lista e zezë” për ndërtuesit abuzues

Sipas Ramws, një komponent kyç i reformës është krijimi i një “liste të zezë” për ndërtuesit dhe investitorët abuzues. Ky regjistër, që do të miratohet me ligj, ka për qëllim penalizimin e atyre që shkelin lejet e ndërtimit dhe mashtrojnë qytetarët.

Rama theksoi se kushdo që do të përfundojë në këtë listë, do të humbasë të drejtën për të marrë leje ndërtimi në të ardhmen dhe do të sanksionohet nëse angazhohet sërish në industrinë e ndërtimit.

Kryeministri përmendi disa kategori ndërtuesish si problematike, duke përfshirë ata që:

nuk lejojnë banorët të futen në pallat;

i lënë blerësit e apartamenteve pa dokumente hipotekore;

kryejnë shitje të dyfishta të pronave.

Ai i bëri thirrje kësaj kategorie ndërtuesish të rregullojnë shpejt problematikat e tyre, duke paralajmëruar se masat që do të miratohen së shpejti do të jenë “drastike”.

Rama: Bllokimi i hapësirave publike do të konsiderohet vepër penale

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se bllokimi i hapësirave të përbashkëta mes pallateve apo i rrugëve publike do të konsiderohet vepër penale. Gjatë një takimi në Tiranë me deputetë dhe drejtorë të bashkisë, ai theksoi se vendosja e barrierave, si traret, nga individë që pretendojnë pronësinë e këtyre hapësirave, nuk do të tolerohet.

“Është okupuar një territor brenda hapësirës së një komuniteti me pretendimin se është prona ime. Kjo do konsiderohet vepër penale,” u shpreh Rama. Ai shtoi se çdo lloj bllokimi tjetër i rrugëve publike do të përballet me të njëjtin ndëshkim, pasi një veprim i tillë nuk ndodh në një qytet me rend ligjor.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se, në kuadër të reformës, është adresuar edhe ligji për bashkëpronësinë. Kjo masë synon të zgjidhë përfundimisht problematikat që lidhen me pronësinë përreth truallit të ndërtimeve, një element që sipas tij, ka prodhuar probleme prej kohësh.

Konfiskohen ndërtimet e braktisura dhe ato me shkelje të rëndë të lejes

Rama njoftoi se qeveria do të konfiskojë në interes të publikut dy kategori objektesh: të gjitha ndërtimet e braktisura që nga vitet ’90 dhe ato ndërtime ku shkelja e lejes ka kaluar kufirin prej 2%. Kjo masë vjen në kuadër të reformës së re të territorit.

Duke folur për ndërtimet e braktisura, kryeministri theksoi se bëhet fjalë për të gjitha “ngrehinat e braktisura” që qëndrojnë “si karakatinë” dhe që kanë krijuar problematika mjedisore dhe shëndetësore.

Lidhur me shkeljet e lejeve të ndërtimit, Rama tha se ndryshimi mbi 2% i lejes do të konsiderohet një shkelje e plotë dhe do të provokojë “sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit, jo të një pjese”.

“Paligjshmëria është e plotë sepse ndërtimi i volumeve shtesë për qëllim fitimi bëhet në vetëdije dhe është një shkelje në vazhdim e ligjit,” theksoi Rama. Sipas tij, kjo do të sjellë kalimin e menjëhershëm të pronës në duart e shtetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme