Adriatik Lapaj: Jap dorëheqjen nga marrja e mandatit, t’i kalojë Greta Ambelit. Shabani të bëjë të njëjtën gjë

Aktualitet | 1 vit më parë

Drejtuesi i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga mandati i deputetit që pretendon se fitoi nga lista e hapur në zgjedhjet e 11 majit. Ndërkohë Lapaj ka ftuar aleatin e tij në koalicion, Endrit Shabani i “Nismës Thurje”, që të heqë dorë gjithashtu nga pretendimi për të marrë mandatin.

Sipas Lapajt, mandati do i kalojë të parës së listës së koalicionit, e cila është kandidatja femër  Greta Ambeli.

Lapaj akuzoi Shabanin se po mbante peng mandatin e fituar nga koalicioni më 11 maj dhe i bëri ftesë publike.

“E sfidoj publikisht dhe e ftoj zotin Endrit Shabani që të vijë dhe së bashku të japim dorëheqjen dhe për t’i lënë vendin kandidatit më të votura të “Shqipëria Bëhet”. Personalisht unë kam hequr dorë nga ai mandat që në ditën e parë pas zgjedhjeve, por z. Shabani nuk më ka lejuar pasi kërkoi që mandati të shkojë te ai dhe jo te më e votuara e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, është shprehur Lapaj.

Ai vuri në dukje se “koalicioni ka qenë bashkim për zgjedhje, ruan individualitetin juridik dhe politik”, ndërsa shtoi se Shabani nuk ka qenë më i votuari.

“Nisma “Thurrje” mori mbi 4522 mijë vota dhe zoti Shabani mori mbi 2966 vota. Pra, votat i mori koalicioni, mandati është marrë me votat e mbështetësve të “Shqipëria Bëhet”. Kjo është betejë për të mbajtur fjalën e dhënë e jo për një mandat. Ne nuk kërkuam votën për t’u bërë pjesë e të vjetrës, por për t’i dhënë fund pazareve me lista të mbyllura dhe për të garuar në listat e hapura. Z.Shabani, eja të japim dorëheqjen dhe mandati të kalojë te zonja Ambeli. Qëndrimi egoist i zotit Shabani”, tha më tej Lapaj.

Sipas Lapajt, mandatin e koalicionit e ndan KQZ-ja me vendimin e saj, por kreu i “Shqipëria Bëhet” kërkoi që të respektohej marrëveshja dhe mandati të shkonte tek kandidati që kishte marrë më shumë vota në listën e hapur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme