Vengu: Rivlerësim strategjik i Mbrojtjes sipas objektivave të samitit të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi sot një takim me Komandën e Forcës Tokësore, ku konfirmoi nisjen e punës për Rivlerësimin Strategjik të Mbrojtjes (RSM).
Fokusi i këtij procesi është modernizimi i Forcave të Armatosura dhe përmbushja e objektivave të kapaciteteve të vendosura në Samitin e NATO-s në Hagë.
Pirro Vengu ka bërë të ditur se Shqipëria do të dyfishojë buxhetin për mbrojtjen, duke synuar që brenda vitit 2026 të fillojë prodhimin e dronëve luftarakë, mjeteve të blinduara dhe avionëve për emergjenca civile.
Këto zhvillime janë pjesë e një strategjie të re për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe përballimin e emergjencave natyrore, si zjarret që kanë prekur vendin kohët e fundit.
Sipas Vengut, “dy janë përparësitë kryesore të vendosura dhe ato janë planifikimi transparent bazuar në prioritetet reale, duke marrë parasysh modernizimin e mjeteve, pajisjeve dhe sistemeve përmes industrisë “Made in Albania” nga municionet dhe armatimi i lehtë deri tek mjetet e blinduara, mjetet e emergjencave civile, artileria e rendë, dronët luftarakë, dhe sistemet kundër-ajrore”.
“Zhvillimin dhe specializimin e burimeve njerëzore mbështetur në infrastrukturë të re akademike, rritje të trajtimit financiar dhe promovimit të karrierës ushtarake për të rinjtë shqiptarë. Vëmendje të posaçme do të marrë fuqizimi i Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe i Komandës Kibernetike si dy shtylla të ekselencës tonë ushtarake”, tha Vengu, krahas modernizimit të Mbrojtjes civile dhe kontrollit të territorit duke investuar në flotën ajrore, atë tokësore, dhe sistemet e monitorimit dhe komandimit kontrollit në kohë reale.
Përparësia e dytë, sipas ministrit të Mbrojtjes, është përmbushja e angazhimeve në NATO, duke përditësuar Planin Zhvillimor të FARSH, me një kalendar të qartë investimesh që shoqërojnë rritjen e buxhetit të Mbrojtjes në mënyrë graduale deri në 3.5% të PBB-së.
Gjithashtu, Vengu u shpreh se “vijon puna me të gjitha komandat dhe kompanitë e prodhimit ushtarak për të ndërtuar një Forcë të Armatosur të aftë dhe të përgatitur për sfidat e së nesërmes”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



