Apeli i GJKKO-së lë në fuqi dënimet për 13 anëtarë të grupit të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, ndryshon vendimi për Kudret Rustemajn

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur të martën vendimin, lidhur me çështjen penale ndaj 14 të pandehurve, të akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, të angazhuar në trafikim ndërkombëtar të narkotikëve.
Pas shqyrtimit të ankesave të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe vetë të pandehurve ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Igerta Hysi (kryesuese), Nertina Kosova dhe Tereza Merkaj vendosi të lërë në fuqi dënimet për 13 të pandehurit. Këta janë: Sulo Pajo, Arian Tola, Fadjon Cami, Viron Lekaj, Artan Agalliu, Shpëtim Pjeshka, Jani Çavo, Besnik Ruçi, Pirro Çapi, Jani Meçja, Edmond Kabashi, Sonila Sula dhe Artur Sulaj.
Ndryshimi i vetëm u bë për të pandehurin Kudret Rustemaj. Ai u shpall fajtor për “Trafikim të narkotikëve” në tentativë, kryer në bashkëpunim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Për këto vepra, Rustemaj u dënua fillimisht me 12 vite burg. Megjithatë, për shkak të aplikimit të procedurës së shkurtuar, ai përfitoi ulje me 1/3 të dënimit dhe do të vuajë përfundimisht 8 vite burg, në një institucion të sigurisë së lartë. Koha e paraburgimit do t’i llogaritet në dënim.
Grupi trafikonte narkotikë nga vendet e Lindjes së Mesme, Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë
SPAK ka bërë të ditur se nga hetimet e thelluara është dokumentuar veprimtaria e një grupi të strukturuar kriminal, i cili shtrinte aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike nga vendet e Lindjes së Mesme, Turqia, Greqia, Shqipëria, me destinacion Italinë dhe vende të tjera të BE-së.
Grupi ka ushtruar veprimtarinë e tij kriminale që nga viti 2020 e në vazhdim. Gjatë hetimeve, institucionet ligjzbatuese kanë arritur të sekuestrojnë sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike si kokainë, heroinë, marijuanë në Durrës, Tiranë, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Maqedoninë e Veriut, Greqi dhe Itali. Këto sekuestrime janë bërë në tetë episode të ndryshme trafikimi, me një vlerë totale prej rreth 2.7 milionë euro.
Rrjeti kriminal, i përbërë nga 21 persona, u zbulua nga bashkëpunimi i SPAK me Prokurorinë e Firences, pas hetimeve mbi ngarkesat me kanabis nga Siria dhe heroinën që mbërrinte nga Turqia në Itali, duke kaluar përmes Shqipërisë. Kreu i dyshuar i grupit kriminal është Endrit Bakiu, i cili u arrestua në vitin 2021 në Durrës me 30 kg kanabis në formë çokolate.
8 episodet kryesore të kapjes së drogës të dokumentuara nga SPAK:
9 Shkurt 2021, Durrës- U sekuestruan 30.6 kg marijuanë e presuar në formë çokolate. U arrestua Endrit Bakiu në makinën e tij tip “Porsche” pranë mbikalimit të Plepave. Lënda narkotike mendohet se ishte trafikuar nga Siria.
2 Qershor 2021, Kakavijë- U sekuestruan 15 kilogramë heroinë. Në pranga ranë Pirro Çapi dhe Shpëtim Pjeshka.
26 Qershor 2021, Shkodër- U sekuestruan 17 kg heroinë, teksa po transportohej për llogari të grupit kriminal.
3 Gusht 2021, Shkodër- U sekuestruan 14.7 kg kokainë dhe u arrestua Besnik Ruçi. Droga u gjet në kroskotin e një automjeti tip “Benz” në pikën e Muriqanit.
12 Tetor 2021, Maqedonia e Veriut- Anëtarëve të grupit iu sekuestruan 67.5 kg kanabis.
16 Nëntor 2021, Itali- U sekuestruan 21 kg kokainë nga ky grup.
8 Gusht 2020, Librazhd- U arrestua Leonard Nergjoni, i cili tentoi të kalojë 32 kg kanabis sativa përmes kufirit të gjelbër drejt Maqedonisë së Veriut.
Mars 2014, Korçë- U sekuestruan 600 kg kanabis dhe u arrestua Tomi Hila.
2015, Greqi- Edmond Kabashi u arrestua për transportimin e 240 kilogramë kanabis, të zbuluara në mjetin e tij që udhëtonte nga Kapshtica drejt Athinës.
Vendimi i GJKKO-së mund të ankimohet në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditësh. SPAK vijon hetimet në kuadër të këtij procedimi penal për të evidentuar çdo fakt tjetër penal dhe përgjegjësinë e personave të tjerë të përfshirë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




