Spiropali në Vorë: Ndihmë falas për qytetarët në përdorimin e shërbimeve online

Qytetarëve në të gjithë Shqipërinë po u ofrohet asistencë e përditshme pranë bashkive për të lehtësuar përdorimin e shërbimeve online të ofruara nga Platforma Qeveritare e Ndërveprimit e-Albania.
Kjo platformë, e cila lidh institucionet dhe synon të shmangë radhët fizike e të kursejë kohë në marrjen e dokumenteve, po mbështetet me sportele dhe asistencë në nivel lokal.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vizitoi të enjten nga afër sportelet e vendosura në dispozicion të qytetarëve në bashkinë e Vorës. Ajo theksoi rëndësinë e kësaj nisme për të afruar administratën me qytetarin.
“Çdo ditë, 10-15 qytetarë drejtohen pranë bashkisë Vorë për ndihmë në përdorimin e mbi 1200 shërbimeve të ndryshme online,” u shpreh Spiropali.
Ajo shtoi se fluksi i kërkesave rritet sidomos të hënave dhe të enjteve, ditë tregu, kur në qytet vijnë edhe banorë nga zonat përreth, duke dëshmuar nevojën për këtë shërbim.
Kryetarja e Kuvendit informoi se kjo mbështetje ofrohet falas, në tri zyra të posaçme, nga punonjës të trajnuar me profesionalizëm dhe përkushtim. Kjo iniciativë synon të lehtësojë qasjen e qytetarëve në shërbimet digjitale.
Aktualisht, 95% e shërbimeve publike të institucioneve qendrore janë tashmë të aksesueshme me një klikim të vetëm, duke ofruar shërbime për mbi 3.3 milionë qytetarë dhe biznese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.












