Kodi i ri Penal– Nga ashpërsimi i dënimeve për krimet ndaj të miturve, te goditja e kriminalitetit të sofistikuar, Manja: Ai aktual s’i përgjigjet sfidave të kohës

Është prezantuar sot drafti i Kodit të ri Penal, i hartuar nga një grup ekspertësh dhe i udhëhequr nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.
Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e konsideroi si të domosdoshme riformatimin konceptual dhe strukturor të Kodit Penal, teksa theksoi se ai aktual nuk i përgjigjet sfidave të kohës. Sipas Manjës, zbatimi i Kodit Penal aktual paraqet vështirësi për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët.
“Kërkesa për të pasur një Kod Penal të ri nuk është çështje politike, por një nevojë e domosdoshme e një shteti dhe shoqërie që evoluon, zhvillohet dhe transformohet çdo ditë. Por edhe si nevojë e një dinamike të re kushtetuese, institucionale dhe integruese, dhe që duhen reflektuar domosdoshmërisht ne kodin e ri penal”, tha Manja.
Ai bëri me dije se Kodi i ri Penal do të duhet të ketë si bazë kushtetuese, Kushtetutën e vitit 1998, teksa ai aktual ka Ligjin për Dispozitat Kushtetuese të vitit 1991.
Manja theksoi se drafti nuk është produkt i Ministrisë së Drejtësisë apo qeverisë. Ai bëri me dije se ky draft do t’i nënshtrohet konsultimit publik dhe do të duhet të marrë edhe vulën e certifikimit nga Brukseli, para se të vijohet me procedurat e miratimit parlamentar. Për miratimin e Kodit të ri Penal nevojitet shumicë e cilësuar.
“Ministria e Drejtësisë ka pasur dhe do të ketë deri në fund vetëm rol organizues dhe mbështetës, ndërsa autorësia intelektuale dhe përmbajtja teknike e draftit është dhe do të mbetet krejtësisht në pronësi të grupit të punës në çdo fazë të konsultimit publik. Pasi të ezaurohet faza e brendshme e konsultimit publik, drafti do të duhet të marrë vulën e certifikimit në Bruksel dhe vetëm atëherë Ministria e Drejtësisë dhe qeveria do të vijojnë me procedurat e miratimit parlamentar me shumicë të cilësuar, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit”, u shpreh Manja
Në këtë draft, sipas Manjës, grupi i punës ka përfshirë elementë të drejtësisë restauruese, mbrojtjes së viktimave, dekriminalizimit të normave të vjetruara dhe kriminalizimit të veprave të reja në fushat me risk të lartë, si korrupsioni, siguria ushqimore, kibernetike, krimi mjedisor dhe ai financiar.
Ministri i drejtoi edhe një ftesë opozitës, duke i kërkuar të bashkëpunojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje në fazën e konsultimit publik.
“Kodi i Ri Penal është një akt shtetëror dhe i përbashkët. Në Bashkimin Evropian shkon Shqipëria, jo vetëm një qeveri apo një forcë e caktuar politike. Vetëm përmes dialogut, mendimit kritik dhe bashkëpunimit gjithëpërfshirës mund të ndërtojmë një Kod Penal modern, efektiv dhe në përputhje me standardet më të avancuara evropiane dhe ndërkombëtare”, theksoi ai.
Kodi i ri Penal bën një riformatim të thellë të sistemit të drejtësisë, duke e nisur nga përforcimi i mbrojtjes për të miturit, e deri te goditja e kriminalitetit të sofistikuar.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi tha se qëllimi është modernizimi i legjislacionit dhe përshtatja e tij me zhvillimet sociale, teknologjike e fenomenet e reja të kriminalitetit. Po ashtu shtoi se duhet një kalim nga një sistem që fokusohet në ndëshkim drejt një sistemi që promovon riparimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e autorit të krimit. Tjetër arsye që çoi në nevojën e një Kodi të Ri Penal, sipas Rakipit, është edhe harmonizimi me aktet ndërkombëtare, direktivat e BE-së dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Për hartimin e këtij drafti, Rakipi tha se është kryer një studim i boshllëqeve në kodin aktual, praktikave gjyqësore vendase dhe standardeve ndërkombëtare dhe sfidat e reja.
Risitë kryesore të Kodit të Ri Penal
1.Drejtësia Restauruese
Dispozita të posaçme për riparimin e dëmit të shkaktuar viktimës.
Ridimensionim tërësor i sistemit të dënimit penal, duke vendosur kritere objektive për caktimin e dënimit nga gjykata duke shmangur arbitraritetin dhe zbatimin preferencial të ligjit penal;
Shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese;
Përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës.
2.Kriminalizimi i veprave të reja:
Terrorizmi kibernetik, trafikimi i armëve, evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit etj.
Trafikimi i armëve të printuara 3D, numërtimi i rremë i armëve dhe ndërhyrja në numërtimin e tyre
Veprat penale në fushën e prokurimit publik dhe konfliktit të interesit.
Ofrimi i ushqimit të pasigurtë, mashtrimi me produktet ushqimore, paraqitja e rremë të produktit ushqimor
Punësimin e paligjshëm të shtetasve të huaj apo pa shtetësi
Falsifikimi i mjeteve të pagesës cash dhe jo cash, mjeteve matëse, numrave të mjeteve motorike
Pengimi i drejtësisë, keqdrejtimi i organeve procedurës për autorin e krimit, ndikimi me dhunë në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, përdorimi i dhunës gjatë hetimeve, ndikimi në pavarësinë e gjykatës, konflikti i interesit të avokatit dhe mosparaqitja në seancë, dhënia e një vendimi në keqbesim
Vrasja me pëlqimin e viktimës, shkaktimi vetëvrasjes nëpërmjet bullizimit, porosia për të kryer vrasje
3.Dekriminalizimi:
Heqja e disa veprave të vjetruara nga lista e veprave penale.
4.Përkufizime të reja:
Përcaktim dhe përkufizim i nocioneve që i kanë munguar legjislacionit shqiptar në vite, duke reduktuar boshllëqet dhe paqartësinë që mund të haset në praktikë në praktikë;
5.Njehsimi i terminologjisë së Kodit;
Saktësimi i nocioneve juridike duke krijuar kushtet për zbatim korrekt dhe uniform të ligjit penal, si lidhja shkakësore, mosveprimi, tentativa, mbrojtja e nevojshme.
6.Përputhshmëria me Acuqis e BE-së:
Përafrimi i akteve të Bashkimit Evropian të cilat përcaktojnë kriminalizimin e sjelljeve, veprimeve ose mosveprimeve të cakturara në mënyrë që Kodi i ri Penal të jetë pjesë integrale e procesit të aderimit të Shqipërisë në BE.
Parashikimi i instituteve të reja të cilat kodi në fuqi nuk i parashikon, si dhe korrektimi i instituteve aktuale të cilat kanë shfaqur probleme gjatë zbatimit si:
Formimin e përgjegjësisë penale si faji dhe lidhja shkakësore me mosveprim, gabimi në fakt, gabimi në ligj, konkurrimin e veprave penale;
Tentativën për përcaktimin e kufijve të zbatimit të këtij instituti si dhe mekanizmin për zbutjen e dënimit;
Përcaktimin e formave shtesë të bashkëpunëtorëve dhe mekanizmit të dënimit për bashkëpunëtorët sipas rolit që kanë në kryerjen e veprës penale;
Dënimet penale (shtimi i dënimeve plotësuese dhe masave plotësuese) dhe përcaktimi i mekanizmit për caktimin e dënimit, dhe ndikimi i rrethanave lehtësuese dhe rënduese në masën e dënimit;
Rregullimi i ndikimit të institutit të kryerjes së veprës penale më shumë se një herë dhe recidivizmit në caktimin e masës së dënimit penal;
Rregullimin e përgjegjësisë penale dhe dënimet për personat juridikë në kod;
Shtim dhe saktësim të listës së rrethanave që përjashtojnë nga përgjegjësia penale autorin e një fakti penal;
Kemi për herë të parë të parashikuar institutin e lajthimit (gabimit) në faktin që përbën vepër penale, si dhe listimi i pasojave të tjera që buron nga kryerja e veprës penale.
. Masat edukative për të miturit
Rikonceptim i trajtimit të të miturve;
Sigurojnë/garantojnë zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të të miturit;
Llojet: këshillimi; mbikëqyrja e veçantë nga prindi, prindi birësues ose kujdestari, mbikëqyrja në përkujdesje alternative dhe vendosja në një institucion të përkujdesjes edukativo–korrigjuese;
Në caktimin e tyre merren parasysh një sërë faktorësh dhe Masa më e rëndë edukuese – aplikohet si alternativë e fundit;;
Një rol qëndror i jepet Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, strukturave përkatëse të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor apo çdo organi tjetër kompetent;
Së bashku me masat gjykata mund të cakton një/disa detyrime të veçanta ndaj të miturit, kur kjo është e domosdoshme për arritjen e qëllimit të masës, si kërkimi i faljes, dëmshpërblimi, ndjekja e rregullt e procesit arsimor, të mos frekuentojë vende të caktuara, të mos kontaktojë persona të caktura etj.
Ndërthurja e elementit material me atë procedurial
Harmonizohen natyrshëm, elementët material dhe ato procedurial penal;
Rritje e standardit të efektivitetit të ligjit;
Plotësim në mënyrë tërësore i instituteve të së drejtës;
Me objektivin për të konsoliduar lidhjen midis tyre si parakusht për kuptim dhe zbatim të drejtë të ligjit, si kusht për sukses në luftën kundër kriminalitetit.
8. Viktimat e veprave penale
Rritet nivelin i mbrojtjes për viktimat e veprës penale, duke ofruar më tepër garanci për to;
Viktima ka të drejtë të ankimojë vendimin gjyqësor (që pranon zëvendësimin e dënimit me burgim me një alternative të tij dhe lirimin para kohe me kusht), si mekanizëm shtesë kontrolli gjyqësor ndaj organeve proceduese;
Ridimensionohet kompensimi i viktimës së veprës penale për një mbrojtje efektive të saj.
9.Ndërthurja e elementit material me atë procedurial
Harmonizohen natyrshëm, elementët material dhe ato procedurial penal;
Rritje e standardit të efektivitetit të ligjit;
Plotësim në mënyrë tërësore i instituteve të së drejtës;
Me objektivin për të konsoliduar lidhjen midis tyre si parakusht për kuptim dhe zbatim të drejtë të ligjit, si kusht për sukses në luftën kundër kriminalitetit.
10.Të miturit
Mbrojtje e posaçme për të miturit;
Dënim i rëndë i çdo veprimi kriminal të drejtuar ndaj tyre;
Saktësim i përgjegjësive të personave që duhet të kujdesen për ta;
Prioritizohet rehabilitimi dhe riintegrimi i të miturve të përfshirë në krim, duke harmonizuar në këtë mënyrë qëllimet dhe përcaktimet me Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, dhe ligjet e tjera për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës.
12.Personat juridike
Adresohet në mënyrë të përshtatshme përgjegjësia penale dhe mënyra e dënimit të personave juridikë;
Në përputhje me nevojën për të luftuar kriminalitetin e këtyre subjekteve
Në përputhje me modelin që ofron praktika evropiane.
Përcaktimi i saktë i zbatimit të ligjit penal mbi këto entitete dhe kriteret konkrete të përcaktuara në projekt krijojnë
mundësi reale që organet proceduese ta godasin në mënyrë efektive krimin e organizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



