Zjarret, 10 vatra aktive në vend. Digjen tri shtëpi në Kakavijë, Bashkia premton ndihmë financiare

Aktualitet | 1 vit më parë

Fshati Kakavijë në Dropullin e Sipërm përjetoi një nga ditët e tij më të vështira për shkak të zjarrit masiv rënë të mërkurën pasdite. Pas një operacioni të gjatë dhe të vështirë, zjarrin që përfshiu zonën Plesat – Katdhiq – Prongji, forcat zjarrfikëse dhe strukturat mbështetëse kanë arritur ta shuajnë plotësisht në orën 04:30 të mëngjesit:

“Nuk arritëm të shpëtonim 3 shtëpi të cilat u dogjën plotësisht. Banorët që ishin brenda mundëm t’i evakuonim”, tha Alqi Kosta, Kryeinspektor i MBZSH Dropull.

Në njërën prej banesave jetonin një çift të moshuarish, të cilët pas trajtimit në spital janë zhvendosur tek fëmijët në Janinë. Bashkia ka nisur punën për sigurimin e fondeve për rindërtimin e shtëpive të djegura:

“Bashkia do marri të gjitha masat për të ndihmuar familjet që iu dogjën shtëpitë”, u shpreh Kryetari i Bashkisë Dropull, Dhimitër Toli.                  

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, 10 prej të cilave janë ende aktive dhe 4 nën monitorim. Vatrat aktive më problematike janë regjistruar në këto zona:

1.        Në vendin e quajtur Liqeni i Luleve, Parku, Kombëtar Lurë

2.        Në fshatin Zall-Gjoçaj, bashkia Mat 

3.        Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat

4.        Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë

5.        Në fshatin Ploç të Novoselës, ku janë dy vatra të tjera aktive

6.        Në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në Gjirokastër po zhvillohet me intensitet të ulët

7.        Në zonën e Shmilit, Elbasan 

9.        Në zonën e Shkopetit, në bashkinë Kurbin

10.      Në fshatin Dishnicë, Korçë

11.      Në fshatin Muzhak, qarku Berat

Në operacionet për shuarjen e zjarreve gjatë ditës së sotme janë të angazhuar 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë nga Forca Ajrore dhe 2 helikopterë hungarezë, pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane. Edhe sot sipas IGJEO-s, sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet dhe “SHUMË I LARTË” në qarkun e Korçës.

Gazetare: N. Spahiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme