Gërryerjet në shtratin e Lumit Mat, detyrojnë ARRSH të mbyll urën auto-hekurudhore të Milotit: Rrezik serioz për sigurinë

Kronikë | 1 vit më parë

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar mbylljen e plotë të Urës Auto-Hekurudhore të Milotit, me një gjatësi prej 788 metrash, për shkak të dëmtimeve serioze që kërcënojnë qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit. Vendimi vjen pas një ekspertize teknike që zbuloi dëmtime të konsiderueshme në themelet mbështetëse, erozion të theksuar në bazamentin e urës për shkak të shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit të lumit, si dhe gërryerje në të gjithë shtratin lumor.

Mbyllja e menjëhershme dhe ndërprerja e qarkullimit janë masa të domosdoshme, veçanërisht duke marrë parasysh trafikun e rënduar gjatë sezonit veror. ARRSH, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, po harton një projekt ndërhyrjeje emergjente që do të zbatohet menjëherë në ditët në vijim.

Rrugët alternative

Përveç ndërhyrjes emergjente, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka parashikuar edhe ndërtimin e një ure krejtësisht të re në Milot, si pjesë e programit strategjik “100 Ura”, i cili mbështetet nga Banka Botërore. Ky projekt afatgjatë synon të adresojë nevojat infrastrukturore në të gjithë vendin.

Gjatë periudhës së ndërhyrjes emergjente, ARRSH rekomandon përdorimin e këtyre rrugëve alternative:

Rruga kryesore Lezhë – Milot

Rruga e Kombit

Autoritetet theksojnë se kjo ndërhyrje është thelbësore për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe të përdoruesve të rrugës. Ndërsa pranojnë vështirësitë dhe shqetësimet që mund të shkaktojë mbyllja e përkohshme e urës, ata theksojnë se kjo masë është e domosdoshme për të shmangur rreziqe më të mëdha dhe për të siguruar një infrastrukturë të qëndrueshme dhe të sigurt në të ardhmen.

Historiku i urës

Ura hekurudhore-automobilistike mbi lumin Mat, në afërsi të Milotit, e ndërtuar në vitin 1981, ka qenë një arritje e rëndësishme inxhinierike për Shqipërinë, duke u shquar si ura më e gjatë e ndërtuar deri në atë kohë në vend.

Me një gjatësi prej 781 metrash, ura përbëhet nga 33 hapësira dhe është ndërtuar mbi themelet e shtyllave prej betonarmeje të rrumbullakëta. Mbistruktura e saj përmban trarë dhe soleta prej betonarmeje të parapërgatitura. Gjatë procesit të ndërtimit, janë aplikuar metoda të reja dhe inovative për kohën, përfshirë ngritjen e nënstrukturës dhe mbistrukturës, si dhe montimin e trarëve me peshë deri në 45 tonë me anë të vincave ekskavatorë.

Kjo urë ka shërbyer si një nyje kyçe për transportin, duke lidhur rrjetin hekurudhor dhe rrugor në këtë pjesë të Shqipërisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme