Presidenti Begaj viziton komisarin e lënduar në QSUT, apelon për kujdes ndaj zjarreve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi mbrëmjen e sotme në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) Shefin e Komisariatit të Delvinës, Komisar Agim Troci. Komisari Troci pësoi djegie në bark, krah dhe këmbë gjatë përpjekjeve heroike për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri në zonën e Senicës, Delvinë.
Gjatë vizitës, Presidenti Begaj vlerësoi lart aktin e guximshëm dhe përkushtimin e Komisar Trocit, duke e cilësuar atë si shembull të sakrificës në detyrë.
Në këtë moment të vështirë, Presidenti Begaj lëshoi një mesazh të fortë ndërgjegjësues për qytetarët, duke theksuar rëndësinë e parandalimit dhe bashkëpunimit:
“Vlerësoj maksimalisht angazhimin e forcave zjarrfikëse, emergjencave civile, forcave të armatosura dhe pushtetit vendor në përballimin e kësaj situate të vështirë me temperatura shumë të larta. Ftoj qytetarët të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi – parandalimi fillon nga secili prej nesh. Bashkëpunimi dhe kontributi me këto struktura është thelbësor për sigurinë e jetës dhe të pronës. Çdo akt zjarrvënieje është i dënueshëm dhe sjell pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë.”
Presidenti Begaj siguroi se institucionet shtetërore janë në gatishmëri të plotë dhe të pranishme në të gjitha zonat më problematike të vendit, duke punuar pa pushim për menaxhimin e situatës së zjarreve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




