45 ikona shqiptare udhëtojnë drejt Francës, Gonxhja: Një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare

Kulturë | 1 vit më parë

Mbi 45 vepra ikonografike të përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar në ekspozitën që do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, Francë.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare”, theksohet në njoftim.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga maji deri në tetor 2026 në qytetin historik të Chambéry, për t’u zhvendosur më pas në një tjetër qytet francez deri në mars 2027.

Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve.

Një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme