Ndezën zjarre qëllimisht, në një javë 18 piromanë të proceduar, 7 prej tyre në pranga
Një vatër zjarri në Konispol dogji 3,5 ha kullotë dhe një stallë me bagëti të imta, ndërsa zjarrvënia rezultoi e qëllimshme dhe policia identifikoi e vuri në pranga piromanin 70-vjeçar. Por, ky nuk është rasti i vetëm.
Një tjetër vatre zjarri në Vaun e Dejës preku varrezat e fshatit Babullush, që fatmirësisht nuk i dëmtoi, por sërish u faktua se ishte vënë në mënyrë të qëllimshme, ndaj dhe uniformat blu prangosën autorin.
Këto janë dy rastet e fundit, pasi të dhënat e Policisë së Shtetit saktësojnë se në javën e fundit, kur edhe numri i vatrave të zjarreve ishte i lartë, janë evidentuar rreth 20 raste të zjarrvënies së qëllimshme.
Po sipas këtyre të dhënave, falë veprimeve hetimore dhe operacionale të efektivëve të shpërndarë nën terren, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve, të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia, është dokumentuar përfshirja e 18 personave, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal e për 7 prej tyre është ekzekutuar urdhërarresti.
Policia e Shtetit prej ditësh po i bën apel qytetarëve për mos’shkaktimin e zjarreve, me qëllim apo nga pakujdesia, pasi çdo autor do përballet me ligjin.
Strukturat e Policisë së Shtetit, krahas angazhimit në terren në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, forcat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile, për evakuimin e banorëve që rrezikohen nga zjarret dhe për shuarjen e tyre, po vijojnë me intensitet veprimet hetimore dhe operacionale për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve, të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




