Zbardhet vrasja në Pogradec, 31-vjeçari vrau të dashurën 52-vjeçare dhe i dogji banesën

Aktualitet | 1 vit më parë

Prokuroria e Korçës ka lëshuar urdhërarrest për 31-vjeçarin Ilirjan S., i cili akuzohet për vrasjen e 52-vjeçares Kozeta Teço, krim që ka tronditur qytetin e Pogradecit.

Hetimet kanë zbuluar se ngjarja ndodhi pas një grindjeje mes çiftit, që bashkëjetonin prej vitesh, duke përfunduar me goditjen me thikë të viktimës dhe më pas me djegien e banesës për të fshehur gjurmët.

Në dëshminë e tij para policisë, 31-vjeçari fillimisht e mohoi autorësinë e krimit, teksa ka pohuar se kishte një lidhje trevjeçare me Kozetën, dhe se ndonëse raporti ishte shpeshherë i trazuar nga dhuna, xhelozia dhe alkooli, ai e donte atë.

“Nuk më bënte përshtypje mosha. E doja, por ajo dehej dhe më dhunonte. E duroja, derisa nuk munda më,” është shprehur ai.

Policia konfirmon se pas vrasjes, autori është përpjekur të zhdukë provat duke hedhur rrobat me gjak në kazanët e mbeturinave dhe duke i vënë flakën banesës.

Selmani ndodhet në paraburgim, ndërsa prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme që dokumentojnë dinamikën e plotë të ngjarjes nga momenti i krimit deri në largimin e tij nga vendi i ngjarjes.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme