Kryemadhi merret e pandehur, njihet me akuzat e SPAK: S’do shkoj në gjykatë, kam projektet e mia

Aktualitet | 1 vit më parë

Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka përfunduar zyrtarisht hetimet për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, dhe dosja e tyre pritet të kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme.

Për t’u njohur me akuzat e ngritura, Kryemadhi u paraqit sot në ambientet e SPAK-ut së bashku me nënën e saj, Fatime Kryemadhi, po ashtu e përfshirë në çështjen ligjore.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, deputetja e Partisë së Lirisë (PL) tregoi për mediet se ajo nuk i pranoi akuzat që iu komunikuan dhe do ndjekë të gjithë hapat ligjorë për t’u mbrojtur. Duke e quajtur procesin të pabazuar, ajo deklaroi se fashikujt përmbajnë artikuj portalesh dhe shpenzime të zakonshme.

“Akoma nuk kanë bërë gati fashikujt. Kanë marrë shkrime portalesh dhe kanë bërë fashikujt. Aty ka karta banke që janë blerë sanduiçe, kafe e kështu gjërash. Unë kam analizë financiare. Edhe unë kam 8 mijë faqe, edhe nëna ime ka 8 mijë faqe. Në fashikuj janë dhe artikujt e shkruar kundër nesh. Firmosëm që s’jemi dakord. Do ndjekim procedurat. Procesi do durim strategjik. Duhet marrë me qetësi. Shëndeti ka shumë rëndësi,” deklaroi Kryemadhi.

Ajo komentoi edhe përfshirjen e nënës së saj në çështje, duke shtuar se SPAK-u e ka quajtur “pastruese”.

“E kanë quajtur pastruese, sepse mamaja ime më ka ndihmuar mua për të pastruar veprën penale. Ajo ka blerë shtëpinë e vet, por pretendohet se e ka blerë me paratë që i kam dhënë unë”, tha Kryemadhi.

Deputetja theksoi se gjatë kohës që është marrë në pyetje nuk iu është përgjigjur prokurorëve të SPAK-ut.

“Shtatë herë më kanë pyetur dhe nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj me ta, do flas në gjykatë. Nuk ka më kuptim. Që në momentin merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do bëjmë lojën tonë. Unë e shikoj veten time tabelë qitjeje dhe një lloj shpagimi që ka të bëjë me çështjen e incineratorëve”, tha Kryemadhi.

Në një reagim më herët për mediet, deputetja deklaroi se nuk ka ndërmend të paraqitet personalisht në gjykatë dhe se ka projekte personale për të cilat do të fokusohet.

“Për hir të së vërtetës mund të jetë një risi në proceset gjyqësore. Kam marrë vesh që kur çështja shkon në gjykatë, mund të mos paraqitem fare. Dëshmitarët të gjithë aty nuk kanë thënë asnjë kundër meje apo kundër Ilir Metës apo kundër mamasë sime“, tha Kryemadhi.

Me mbylljen e hetimeve nga SPAK-u, akuzat pritet t’i komunikohen të hënën edhe ish-presidentit Meta, pasi avokati i tij nuk ishte i disponueshëm. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i PL-së sqaroi se nuk ka pasur një shkresë zyrtare nga SPAK-u dhe se ai ishte njoftuar vetëm sot në mëngjes verbalisht nga gardiani i burgut.

“Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme: ZERO fakte penale! ZERO prova penale! ZERO akte dhe vendime të paligjshme! ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit! ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit! ZERO pasuri të paligjshme!” reagoi Meta.

SPAK po ashtu i ka komunikuar akuzat Pirro Xhixhos, i cili akuzohet për korrupsion pasiv, dhe Ema Çokut për pastrim parash. Hetimet e kryera nga prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi përfshijnë aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Gazetarë: e.a. / Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme