Masat për parandalimin e zjarreve, Vengu: Do ngremë katër qendra rajonale, pista për helikopterë dhe kamera termike në parqet kombëtare

Në kuadër të parandalimit, por dhe mirëmenaxhimit të situatës së zjarreve në vend, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se po investohet në ngritjen e katër qendrave rajonale të dedikuara shuarjes së zjarreve në zonat rurale, pyjore dhe malore.
Dy prej tyre do të jenë në Bushat dhe Finiq, ndërsa pritet të përcaktohen edhe dy të tjera, që do të mbulojnë verilindjen dhe juglindjen e vendit. Sipas ministrit, këto qendra do të kenë pista për uljen e helikopterëve dhe hapësira për furnizimin e tyre, duke shmangur humbjen e kohës gjatë operacioneve.
Vengu bëri të ditur se parqet kombëtare do të pajisen me kamera termike për parandalimin dhe identifikimin në kohë të vatrave të zjarrit.
“Forcojmë zinxhirin e reagimit të Emergjencave Civile, jemi duke investuar në 4 qendra rajonale duke i dhënë mundësi bashkive që të përqendrohen në element zjarrfikës urban dhe këto qendra të fokusohen në zonat rurale, pyjore, malore ku kemi edhe rrezikshmërinë më të lartë. Kemi identifikuar dy zona, Bushatin dhe Finiqin. Bushati do të mbuloj të gjithë zonën e nënShkodrës, Shëngjinin, Velipojën, Lezhën pra janë disa bashki dhe investimi ka filluar.
Së bashku me rinovimin e një flote të dedikuar për këto qendra rajonale, të prodhuar nga kompania shtetërore të prodhimeve ushtarake që do të shërbejë edhe për rritjen e flotës tokësore. Do të jenë qendra rajonale ku do të ulen helikopterët dhe do të furnizohen që të mos kemi më këto vajtje-ardhjet dhe humbjet e kohës. Do kemi edhe pikën në jug që mbulon Gjirokastër Vlorë dhe Delvinën dhe jemi duke caktuar dhe dy ish reparte të tjera që të kemi në mbulim të verilindjes dhe juglindjes”, tha Vengu.
Paralelisht, tha ministri, po investohet në rinovimin e flotës tokësore zjarrfikëse si dhe në rritjen e kapaciteteve ajrore dhe njerëzore.
“Do investojmë në rinovimin e flotës zjarrfikëse në të gjithë vendin, dhe në kapacitete ajrore si dhe kapaciteteve njerëzore. Zjarri në Llogara dhe Dukati u parandalua se kishe një monitorim me kamera termike 24 orë, dhe këtë gjë duam ta shtrijmë këtë rrejt kamerash në të gjitha pikat me rrezikshmëri në lartë edhe në Lurë dhe të gjithë parqet kombëtare”, tha ministri.
Gjatë konferencës u bë e ditur se qeveria shqiptare do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet që u janë shkaktuar qytetarëve nga zjarret që kanë përfshirë vendin përgjatë javëve të fundit. Kjo paketë do t’u vijë në ndihmë qytetarëve që janë prekur nga zjarret në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



