Arrestohet autori i plagosjes në Borsh, shpallet në kërkim një tjetër person i përfshirë në konflikt

Policia ka arrestuar 42-vjeçarin Hekuran Çelaj, si autor të dyshuar të plagosjes me armë zjarri të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Borsh. Gjithashtu, është shpallur në kërkim 55-vjeçari Edmond Vlashi, i përfshirë në konflikt.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:20, në një lokal në fshatin Borsh. Sipas hetimeve, konflikti nisi si një përplasje fizike mes Hekuran Çelajt dhe Edmond Vlashit, për motive të dobëta, ku Edmond Vlashi dyshohet se goditi me grushte Hekuran Çelajn. Më pas, Çelaj u largua dhe u kthye me një armë automatike, me të cilën qëlloi në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen” ku ndodhej 33-vjeçari Erald Shullazi, i cili u plagos në shpatull dhe në këmbë. Fatmirësisht, Shullazi ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet gjithashtu se Hekuran Çelaj goditi me qytën e armës edhe 43-vjeçarin Albert Dollaku.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të policisë, Hekuran Çelaj u arrestua në flagrancë për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”. Ndërkohë, po punohet për gjetjen e armës së krimit dhe kapjen e Edmond Vlashit, i cili akuzohet për “Dëmtime të tjera me dashje”. Në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




