Ndryshime në tarifat e shërbimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit dhe të shërbimeve kadastrale

Aktualitet | 1 vit më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime thelbësore në tarifat e shërbimeve që ofrohen nga Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT). Ky vendim i ri detajon mënyrën e llogaritjes së tarifave dhe procedurat e pagesës për lejet e zhvillimit, ndërtimit dhe certifikatat e përdorimit.

Tarifa për shqyrtimin e kërkesave për leje zhvillimi dhe ndryshimet/rishikimet e tyre do të llogaritet bazuar në sipërfaqen e pronës. Për projekte deri në 100 hektarë, tarifa është 100 lekë për m²; për projekte mbi 100 hektarë, tarifa është po 100 lekë për m², por nuk mund të kalojë totalin e 130 milionë lekëve.

Tarifat specifike për centralet e energjisë

Aplikimet për centralet gjeneruese të energjisë përjashtohen nga kjo rregull dhe do të kenë tarifa fikse, të ndara sipas fuqisë:

Deri në 2 MW: 1 milion lekë.

Mbi 2 MW deri në 10 MW: 3 milionë lekë.

Mbi 10 MW deri në 50 MW: 10 milionë lekë.

Mbi 50 MW deri në 100 MW: 20 milionë lekë.

Mbi 100 MW: 30 milionë lekë.

Procedurat dhe afatet e pagesës

Pagesa për lejet e zhvillimit do të kryhet brenda 15 ditëve pas miratimit nga KKT. Pagesa për lejet e ndërtimit do të llogaritet si 1% e vlerës së investimit të deklaruar në sistemin “e-Leje”. Kjo pagesë duhet të kryhet brenda 90 ditëve pas miratimit.

“Tarifa për ndryshimin e subjektit zhvillues do të jetë po ashtu 1% e vlerës së investimit, por pagesa duhet kryer brenda 15 ditëve. Tarifa për lëshimin e certifikatës së përdorimit do të jetë 1% e diferencës mes vlerës përfundimtare të punimeve dhe preventivit fillestar të investimit, dhe duhet paguar brenda 15 ditëve pas lëshimit të faturës.”, thuhet në vendim.  

Ndryshime në tarifat e shërbimeve kadastrale, institucionet publike do të paguajnë tarifë të reduktuar

Qeveria ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime edhe në vendimin për tarifat e shërbimeve kadastrale, duke synuar lehtësimin e proceseve për institucionet shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të institucioneve shtetërore dhe organeve të vetëqeverisjes vendore, tarifa e re do të jetë vetëm 100 lekë.

Përveç institucioneve shtetërore dhe njësive vendore, lista e subjekteve që do të përfitojnë nga tarifat e reduktuara është zgjeruar. Në të shtohen Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT); Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA); Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR); Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT).

Institucionet e reja të përfshira në listë do të mund të përfitojnë shërbimet kadastrale pa pagesë paraprake. Megjithatë, ata detyrohen të shlyejnë totalin e tarifave çdo muaj. Përjashtim bëjnë institucionet shtetërore dhe njësitë vendore, të cilat do të kryejnë pagesën çdo gjashtë muaj.

Tarifa e reduktuar prej 1/10 të vlerës standarde për institucionet publike do të jetë e vlefshme për një periudhë njëvjeçare. Pas këtij afati, këto institucione do të paguajnë tarifat standarde.

Vendimi bën ndryshime në numërtimin dhe në përditësimin e listës së shërbimeve kadastrale. Gjithashtu, theksohet se aktet e fitimit, njohjes apo ndryshimit të pronësisë, të parashikuara në ligjin “Për kadastrën”, duhet të pasqyrohen në kartelën e pasurisë, pa u tarifuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme