Vendimi- Miratohet trajtimi financiar dhe ekonomik për oficerët ndërlidhës të Policisë së Shtetit jashtë vendit

Aktualitet | 1 vit më parë

Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim të rëndësishëm që rregullon trajtimin financiar dhe ekonomik të oficerëve të Policisë së Shtetit, të cilët shërbejnë si oficerë ndërlidhës në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë apo në organizata ndërkombëtare jashtë vendit. Ky vendim përfshin gjithashtu trajtimin e familjarëve që i shoqërojnë.

Shpenzimet e mbuluara

Buxheti i Ministrisë së Brendshme, përmes fondeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, do të mbulojë një sërë shpenzimesh për oficerët ndërlidhës dhe familjet e tyre (bashkëshorti/ja, fëmijët nën 18 vjeç dhe kujdestarët ligjorë).

Ky buxhet do të mbulojë edhe qiranë e apartamentit, shpenzimet e mirëmbajtjes, ngrohjes, ujit, energjisë elektrike, si dhe pajisjet shtëpiake.

Do të mbulohet gjithashtu edhe transporti i oficerit dhe familjes nga Shqipëria në vendin e emërimit dhe anasjelltas, transporti i sendeve personale deri në 30 m³ për familje, si dhe shpenzimet e udhëtimit për pushimet vjetore në atdhe një herë në vit, si dhe siguracionin, mirëmbajtjen, karburantin, parkimin dhe regjistrimin e automjetit në vendin pritës.

Buxheti i ministrisë do të mbulojë edhe kostot operacionale ku përfshihen mbulimi i shpenzimeve publicitare, udhëtimeve për interesa zyrtare, detyrimeve protokollare, telefonisë, internetit dhe materialet e zyrës.

Trajtimi financiar për familjarët

Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore do të paguhen për bashkëshortin/en, ndërsa sigurimi i jetës do të mbulohet në rastet kur vendi pritës konsiderohet me rrezikshmëri të lartë.

Po kështu edhe shkollimi i fëmijëve. Nëse gjuha e shkollave publike nuk është një nga gjuhët kryesore evropiane, do të mbulohet tarifa e shkollave private deri në 2,500 euro në vit për fëmijë.

Bashkëshorti/ja do të përfitojë një pagesë mujore prej 50% të pagës së gradës “Atashe” të vendit të emërimit, ndërsa çdo fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojë 20% të kësaj page. Kjo pagesë ndërpritet nëse bashkëshorti/ja punësohet me kohë të plotë në vendin pritës.

Shpenzimet e kurimit mjekësor urgjent mbulohen nga buxheti i shtetit. Në rast fatkeqësie (vdekje e familjarëve të afërt), shpenzimet e udhëtimit për kthim në atdhe mbulohen. Në rast humbjeje jete, shteti mbulon shpenzimet e transportit të trupit dhe ceremonisë mortore.

Ky vendim zëvendëson vendimin e mëparshëm të vitit 2009 dhe synon të sigurojë një mbështetje më të plotë financiare dhe logjistike për oficerët e Policisë dhe familjet e tyre gjatë misionit jashtë vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme