Çelet ekspozita “Lost in Generations”, një reflektim ndërbrezor mbi përvojën njerëzore
Në ambientet e Galerisë së Arteve Digjitale në Korçë u hap ekspozita “Lost in Generations”, një projekt artistik që ka sjellë rrëfime autentike të individëve nga breza të ndryshëm, të cilët ndajnë përvojat e tyre personale mbi jetën, familjen, ëndrrat, kujtesën dhe kuptimin e ekzistencës.
Qëllimi i projektit nuk është të ofrojë një narrativë të vetme, por të krijojë një hapësirë reflektimi, ku vizitorët të mund të prekin përmes artit shumëllojshmërinë e përjetimeve njerëzore.
“Në vetvete kjo është një ekspozitë multimediale ndryshe nga të tjerat, jo e bazuar mbi një artist, por mbi 12 rrëfime të njerëzve të zakonshëm, të grupmoshave dhe eksperiencave të ndryshme, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse përmes një bashkëbisedimi dhe rrëfimi të qetë tregojnë ndryshimet ndërmjet brezave,” deklaroi kuratori i ekspozitës, Arbri Malile.
“‘Satellite Zone’ është një grupim i cili ka për qëllim angazhimin e artistëve të rinj. Ne menduam që së bashku me Galerinë e Arteve Digjitale Korçë, projekti ‘Lost in Generations’ do të ishte perfekt për qëllimin tonë. ‘Lost in Generations’ është një thirrje për të bashkuar brezat e ndryshëm,” tha Kristanja Cene, përfaqësuese e “Satellite Zone”.
Ky projekt artistik është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ekspozita pritet të qëndrojë e hapur për publikun për disa ditë dhe është një ftesë për këdo që dëshiron të ndalet dhe të dëgjojë zërat që zakonisht nuk dëgjohen.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




