Zjarret e qëllimshme – Banorët djegin mbeturinat, vuajnë vetë pasojat
Hedhja pa kriter e mbeturina në përroin e lagjes Dunavat është një problem i përhershëm, por akoma më shqetësuese është djegia e tyre, e cila ka shqetësuar jo vetëm banorët, por edhe turistët e huaj.
Në orët e para të mëngjesit u raportua rënia e një zjarri në përroin e lagjes. Menjëherë u nis në vendngjarje një automjet zjarrfikës dhe efektivë të shërbimit, duke bërë të mundur ndërhyrjen në kohë për shuarjen e zjarrit.
“Zjarri ka rënë në 1:00 të natës. Doli vëllai i pari. Pastaj e shuam. Erdhi Policia, pastaj edhe Zjarrfikësja. Ndërhyrja është e vështirë, sepse nuk ka rrugë makine,” shprehet një banor i lagjes.
“Të them të drejtën mbrëmë u shqetësuam për shkak të zjarrit në këtë zonë, që mori përmasa të mëdha, por falë ndërhyrjes u arrit të vihet nën kontroll. Ky është një alarm për banorët. Ata duhet të kujdesen për mjedisin e tyre,” thotë një turiste e huaj.
Banorët e zonës kanë bërë thirrje për ndërgjegjësim, duke kërkuar nga komuniteti që të ndalë këtë praktikë të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.
“Mbeturinat nuk vjen njeri i tjetër që t’i hedhë. Ne i hedhim, që jemi rreth e rrotull,” thotë një banore.
Rastet e zjarreve kanë qenë të shpeshta gjatë kësaj periudhe të verës.
Në shumë raste, banorët djegin barishte apo mbeturina në mënyrë të pakontrolluar, duke sjellë rrezik për përhapje të flakëve dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Ndërkaq autoritetet lokale kanë paralajmëruar masa ndëshkuese për ata që shkaktojnë zjarre në mënyrë të papërgjegjshme.
Gazetare: Leonida Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



