Berisha: Turizmi është kthyer në mallkim për qytetarët, “narko-euroja” po na falimenton

Ekonomi | 1 vit më parë

Sipas kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, qeveria po dështon në atë që e konsideron kalin e vet të betejës, që është rritja e turizmit.

Në vazhdën e konferencave të përditshme për shtyp, kryedemokrati zgjodhi të martën të trajtojë “rënien dramatike” të sektorit vitin e fundit. Ai mori shembull vitin 2005 kur qeverisnin demokratët dhe vitet e fundit për të treguar se politikat e gabuara të qeverisë i dhanë hov “narko-euros”, pra, zhvlerësimit të monedhave të huaja si pasojë e futjes në treg të parave të pista nga jashtë.

“Narko-euroja është toksina e vërtetë e turizmit. Narko-euroja është toksina e vërtetë e ekonomisë shqiptare. Rënia e vlerës së euros në 35 për qind, rënia e vlerës së dollarit në 35 për qind, rënie e shpejtë dhe instalimi i saj në këtë nivel, bëri që turisti që më parë me 100 euro blinte shërbimet dhe mallrat e caktuara, një vit më pas duhet të shpenzonte në Shqipëri 135 euro,” deklaroi z. Berisha.

“Narko-euroja”, sipas kryedemokratit, ka bërë që të falimentojnë sipërmarrjet dhe eksportet. Pasojat po ndihen edhe te familjet e thjeshta.

“Sot, në dyqanet e shqiptarëve, 80 për qind e frutave, zarzavateve dhe ushqimeve janë të importuara. Kjo bëri që ushqimet në Shqipëri të jenë 17 për qind më të larta se në BE. Kjo bëri që çmimet në lokalet, restorantet, baret e vendit, automatikisht të rriten dhe të jenë më të larta se në mesataren e BE.

‘Narkosat’, këta lejtnantë të regjimit, që ndërtojnë rezorte, hotele, restorante ultraluksoze, nuk kanë qëllim kryesor fitimin me investimin e tyre. Qëllimi i tyre më madhor është larja e parave të krimit të tyre. Ata vendosin çmime nga më absurdet. Ata deformuan në mënyrë të pamëshirë turizmin shqiptar me shezlongë nga 100 gjer në 500 euro. Me kabana gjer në 2 mijë, 4 mijë euro,” shtoi kreu i PD-së.

Zoti Berisha e quajti propagandë termin “turizëm elitar në Shqipëri” dhe tha se turizmi është kthyer në një mallkim për shqiptarët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme