Thethi, debate në Këshillin Bashkiak. Zv.kryebashkiaku Preka: Aktkonstatimet të muajve më parë, në korrik u zbatua vendimi

Aktualitet | 1 vit më parë

Situata e prishjes së ndërtimeve në Theth ishte në fokus të debateve mes këshilltarëve në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak Shkodër.

Këshilltarja e djathtë, Gloria Shllaku, vuri theksin tek dëmi që u është bërë banorëve atje në mes të sezonit turistik.

“Absolutisht që nuk jam kundër zbatimit të ligjit. Nuk jam për të ndërtuar pa leje, por ama aty janë cekur shtëpi edhe pse nuk ka një ligj rregullator për sa i përket pronësisë aty, shtëpi të katragjyshërve në sezon turistik. Të lutem, kryetar! Me tërë respektin, por kjo absolutisht që ka qenë një gjë politike,” u shpreh znj. Shllaku, këshilltare e Partisë Demokratike.

Zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, tha se Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) ka bërë aktkonstatime muaj më parë, ndërkohë që nuk janë prishur vila shekullore, por ndërtime pa leje të bëra rishtazi.

Sanksionet janë bërë shumë më herët, por korriku ishte vetëm pjesë e zbatimit të këtyre konstatimeve, theksoi z. Preka.

“Ai aksion nuk ka pasur lidhje fare me politikën. Puna në terren nga punonjësit e IMT-së Shkodër dhe e gjithë organeve janë bërë me procesverbale konstatimi, vendime prishjesh, me pezullim punimesh dhe me kallëzime në Prokurori. Nuk është e vërtetë, aspak, që janë prishur vila shekullore. Janë prishur ndërtime pa leje, sikurse e keni konstatuar vetë. Është dashur një moment. A është ai? A është e dhimbshme për banorët aty? Patjetër. A mund të kishte qenë më e dhimbshme mbas një viti? Shumë më e dhimbshme mund të kishte qenë mbas një viti,” u shpreh zv.kryebashkiaku Preka.

Teksa prishjet e ndërtimeve vijojnë të krijojnë debate, zona e Thethit pritet t’i rikthehet normalitetit me investimet që do të bëhen nga përfituesit e “Paketës së Maleve”.

Gazetare: Merisa Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme