Trump i telefonon Melonit, propozon që Samiti i Paqes mes tij, Putin dhe Zelenskit të zhvillohet në Romë, Moska kundërshton ashpër

Europë | 1 vit më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur një iniciativë diplomatike për të organizuar një samit të paqes në Romë, me qëllim që të mbledhë në një tryezë presidentin rus Vladimir Putin dhe atë ukrainas Volodymyr Zelensky. Kërkesa, e bërë në një bisedë telefonike me kryeministren italiane Giorgia Meloni, mori një përgjigje pozitive nga qeveria italiane dhe një mbështetje të fortë nga presidenti Zelensky.

Megjithatë, kjo nismë ka hasur në kundërshtimin e fortë të Moskës, e cila e konsideron Italinë tepër të lidhur me Ukrainën për të qenë një vend neutral pritës. Për shkak të këtij refuzimi nga ana e Rusisë, samiti nuk do të mbahet në Romë siç ishte planifikuar fillimisht.

Ndërkohë, Trump vazhdon bisedimet e nivelit të lartë diplomatik. Ai ka folur me presidentin kinez Xi Jinping për të informuar atë mbi negociatat dhe një samit të ardhshëm me Putinin. Sipas burimeve të Fox Neës, ndër vendet që po shqyrtohen për këtë takim, përveç Romës, janë edhe vende të tjera evropiane. Megjithatë, një burim i Tass thotë se takimi ka gjasa të zhvillohet “jashtë Evropës”.

Në një zhvillim tjetër, kryeministri polak Donald Tusk shprehu njëfarë optimizmi të kujdesshëm pas një bisede me Zelenskyn. Tusk deklaroi se ka shenja që një “ngrirje e konfliktit është ndoshta më afër sesa është larg.” Këto zhvillime vijnë ndërkohë që sot skadon afati i ultimatumit që Trump i dha Putinit për t’i dhënë fund sulmeve në Ukrainë. ANSA

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme