Situata nga zjarret në vend, 7 vatra zjarri ende aktive, ndërhyrje nga toka dhe ajri

Aktualitet | 1 vit më parë

13 vatra zjarri janë evidentuar në rang vendi në orët e fundit, prej të cilave 6 janë shuar plotësisht dhe 7 vijojnë të jenë aktive. E rënduar paraqitet situata në Vlorë, ku në fshatin Navaricë, zjarri është spostuar në drejtim të malit mbi fshat. Në Leshnicë të Poshtme, pas ndërhyrjeve tokësore dhe ajrore, është shmangur rreziku për banesat. Në ndihmë të forcave në terren u bë e mundur ndërhyrja me helikopterin e Forcës Ajrore dhe dy avionëve Fireboss të ardhur nga Suedia, që realizuan gjithsej 44 hedhje uji nga ajri.

Po në qarkun Vlorë, një tjetër vatër zjarri vijon aktive në sipërfaqe shkurre dhe bimësi të ulët, dhe bëhet fjalë për fshatin Tragjas, ku po operojnë 17 efektivë të zjarrfikëses Vlorë dhe 3 punonjës të Shërbimit Pyjor.

Edhe në qarkun e Fierit, konkretisht në fshatin Lofkënd, megjithë izolimin e pjesës më të madhe të vatrës, zjarri mbetet aktiv në dy pika, në pjesën jugore dhe veriperëndimore, ku për shkak të terrenit të vështirë është e pamundur ndërhyrja nga toka, dhe po vijon ndërhyrja nga ajri me avionin kroat të tipit Canadair.

Në qarkun e Lezhës, një vatër tjetër zjarri është aktive në fshatin Malaj Epërm dhe në terren janë angazhuar 33 forca operacionale të strukturave vendore, të cilat po punojnë për krijimin e brezave ndarës në mënyrë që të pengohet përhapja e mëtejshme e flakëve në sipërfaqen prej hektarësh.

Ndërsa në qarkun Dibër, në vendin e quajtur “Mali i Allushit”, vatra e riaktivizuar u vu nën kontroll dhe nuk përbën më rrezik për përhapje apo për banesat.

Izolim dhe mbajtje në kontroll të flakëve është bërë nga punonjësit e Shërbimit Pyjor të qarkut të Elbasanit në fshatin Lleshaj, dhe në qarkun Tiranë, konkretisht në malin e Bërzhitës, 15 forca të zjarrfikëses u angazhuan për shuarjen e flakëve në një sipërfaqe me bimësi.

Autoritetet po vijojnë monitorimin e situatës në gjithë territorin, ndërkohë që ndërhyrjet ajrore dhe tokësore po kryhen me kapacitet të plotë për të vënë nën kontroll të gjitha vatrat e mbetura aktive.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme