Rimarrja e patentave, vetëm 13.4% e shoferëve rifitojnë lejen e drejtimit pas shkeljeve

Aktualitet | 1 vit më parë

Statistikat e fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë një panoramë shqetësuese: vetëm 13.4% e drejtuesve të mjeteve, të cilëve u është hequr patenta për shkelje të rënda, po arrijnë ta rifitojnë atë.

Kjo shifër, e cila i referohet periudhës qershor 2022 qershor 2025, ngre pikëpyetje serioze mbi aftësitë dhe ndërgjegjësimin e shoferëve. Nga gjithsej 2,329 persona që u riregjistruan në autoshkolla pas humbjes së pikëve, vetëm 314 kanë arritur të kalojnë me sukses testet teorike dhe praktike. Ish-drejtori i Policisë Rrugore, Krenar Ahmeti, thotë se arsyet pse shumë prej tyre nuk arrijnë t’i marrin janë të shumta.

“Ose nuk i kanë ditur asnjëherë rregullat e qarkullimit dhe e kanë marrë patentën në mënyrë të padrejtë, pro edhe vetë testet janë të tillë që nuk janë të shkruar tamam shqip”, tha Ahmeti.

Një shembull i qartë është seanca e fundit e testimeve, ku nga 42 persona të regjistruar, u paraqitën vetëm 25 kandidatë dhe prej tyre, vetëm 10 arritën të fitonin patentën. Ish-drejtori i Policisë Rrugore mendon se për persona të tillë është shumë e rëndësishme edhe konsultimi me psikologun.

“Këta persona mund të kenë probleme dhe devijanca psikologjike. Në vendet e tjera në botë këta persona, pavarësisht se i heqin pikat e patentës, nuk i marrin në provim për të parë sesa njohuri kanë në rrugë, por i çojnë për kontroll psikologjik”, theksoi Krenar Ahmeti.

DPSHTRR shprehet se qëllimi i këtij procesi rigoroz është që ata që e kalojnë testin të kthehen në rrugë “më të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme