I jepet lamtumira tri viktimave të vrasjes në Gjilan. Autorët në arrati, thirrje për masa ndaj hetuesve e gjyqtarëve që i liruan

Kosovë | 1 vit më parë

Viktimat e vrasjes së trefishtë para një dite në Gjilan u prehën të hënën në banesën e tyre të fundit.

Dyqanet e qytetit kosovar mbetën mbyllur në shenjë respekti për Selami dhe Edmond Hasanin, babë e bir me profesion argjendarë, si dhe për Abedin Hoxhën.

Policia e Kosovës ende nuk e ka qartësuar motivin e krimit. Dyshohet se viktimat dhe autorët e ngjarjes ishin përfshirë në një skemë fajdesh.

Njëri nga viktimat vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerët në spitalin rajonal të Gjilanit. Një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ndërsa një i pestë është trajtuar për lëndime me mjete të forta.

I dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, një person i njohur për organet e drejtësisë me mbi 30 vepra për raste të ndryshme, përfshirë sulme, fajde, mashtrim, kërcënim dhe pjesëmarrje në organizata kriminale, është në kërkim policor së bashku me dy djemtë e tij.

Ministria e Drejtësisë reagoi gjatë ditës për vrasjen e rëndë, duke e cilësuar “të pakuptueshëm dhe të papranueshëm” vendimin për lirimin e Shkodrës dhe të djalit të tij, Edonisit. Prokuroria sqaroi se ata kishin qenë në paraburgim për katër muaj për vepra penale, si ushtrimi i fajdeve, por ishte gjykata që dorëzaninë e tyre dhe vlerësoi se nuk duhej të vazhdonin në paraburgim.

“Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme,” thuhet në reagim, ku i bëhet thirrje Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në rast.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nga 1.752 persona që aktualisht mbahen nëpër burgjet e Kosovës, vetëm 4 prej tyre janë të dënuar për veprën penale “Fajdeja” dhe 8 janë në paraburgim.

“Ky realitet është alarmues dhe tregon që pavarësisht ndikimit të madh që këto vepra kanë mbi jetën e qytetarëve, pasojat e tyre sociale dhe shpesh edhe tragjike, sistemi ynë i drejtësisë nuk po i trajton me seriozitetin dhe vendosmërinë që kërkohet. Këto nuk janë thjesht vepra të izoluara, janë pjesë e një zinxhiri kriminal që godet më të pambrojturit dhe kontribuon në një ndjenjë të thellë padrejtësie në shoqëri. Rastet e fundit tragjike janë një dëshmi e qartë për pasojat që sjell neglizhenca institucionale ndaj këtyre fenomeneve,” shkroi znj. Haxhiu në Facebook.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme