SHBA – Shpërthim në fabrikën e prodhimit të çelikut, viktima dhe të plagosur nga tragjedia në Pensilvani

Amerikë | 1 vit më parë

Shpërthimi në një fabrikë të prodhimit të çelikut në qytetin amerikan të Pitsburgut në Pensilvani la të hënën një të vdekur dhe dhjetëra të plagosur apo të zënë nën rrënoja.

Shërbimet e Urgjencës njoftuan për rënien e një zjarri në fabrikë rreth orës 10:50 të mëngjesit. Shpërthimi i fortë tronditi komunitetin vendas, ndërsa banorëve iu bë thirrje të qëndrojnë larg vendngjarjes. Sipas guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro, pati disa shpërthime njëri pas tjetrit.

“Punonjësit e lënduar po transportohen në spitalet lokale për të marrë kujdesin e duhur, dhe në fabrikë vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit,” informoi Shapiro nëpërmjet rrjetit social “X”.

CNN raportoi se dy punonjës të fabrikës mbeten të zhdukur.

Fabrika “Clairton Coke Works” është pjesë një kompleksit të prodhimit të çelikut në Pensilvaninë Perëndimore dhe është një nga më të mëdhatë në Amerikën Veriore. Fabrika bën procesin e kthimit të qymyrit bruto në koks, që përdoret më tej për prodhimin e çelikut, duke e nxehur qymyrin në një mjedis pa oksigjen për t’i hequr papastërtitë. Godina masive shtrihet rreth 15 milje në juglindje të Pitsburgut.

Vitet e fundit ndaj fabrikës ka pasur ankesa për nivelin e ndotjes që shkarkon në ajër. Grupet ambientaliste kanë bërë thirrje për hetimin “e plotë dhe të pavarur të shpërthimit të fundit katastrofik dhe për të vlerësuar nëse ia vlen që të vazhdojë të funksionojë fabrikat Clairton”. /CNN, AP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme