I nxehti i merr jetën fëmijës në Itali, rekorde temperaturash dhe zjarre nëpër Europën Jugore

Botë | 1 vit më parë

E hëna i ka gjetur vendet e gadishullit iberik, Spanjën dhe Portugalinë, si dhe gadishullin e Ballkanit dhe Italinë në luftë kundër zjarreve.

Një djalë katër vjeç ishte viktima e parë e ditës në Sardenjë. Ai u gjet pa ndjenja brenda makinës së familjes. Megjithëse u transportua drejt një spitali të Romës, dëmtimet në tru ishin të pakthyeshme, deklaruan autoritetet spitalore për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

Ministria italiane e Shëndetësisë ka lëshuar alarmin e kuq për disa qytete të mëdha si pasojë e të nxehtit të jashtëzakonshëm, përfshirë në Bolonjë dhe në Firence. 11 qytete janë me alarm të kuq të martën dhe 16 të mërkurën, ndërkohë që forcat zjarrfikëse vazhdojnë përballjen me një vatër zjarri në malin e Vezuvit, duke bërë që të mbyllet aksesi për turistët në parkun kombëtar.

Vendet e Ballkanit përballen me zjarret

Agjencia e Kosovës për Menaxhimin Emergjent njoftoi në mesditë se aktualisht janë 38 vatra zjarri, 24 nga të cilat vazhdojnë të jenë aktive.

Zjarrfikësit malazezë në rrethinat e Podgoricës ndërhyjnë në një terren të vështirë për të shpëtuar dhjetëra shtëpi

Prej ditës së premte, edhe Greqia po përballet me zjarre të herëpashershme, veçanërisht në rajonin jugor të Atikës dhe në perëndim. Mbrojtja Civile Greke njoftoi për 1 person të vdekur në qytezën e Keratesë në Atikën Lindore. Të hënën pasdite një zjarr i madh shpërtheu edhe në lindje të Athinës, në një zonë të pyllëzuar afër zonave të banuara të Kaliteknupolit. Sipas televizionit publik ERT, rreziku për prekjen e banesave është i ulët, por erërat e forcës 7 po e vështirësojnë punën e zjarrfikësve.

Mali i Zi raportoi për zjarre afër kryeqytetit, Podgoricës dhe përgjatë brigjeve të Adriakut, duke apeluar për ndihmë urgjente nga vendet fqinje. Autoritetet e quajtën situatën “katastrofike”.

Qyteti i Mostarit në Bosnjë arriti temperaturën 43 gradë Celsius, ndërsa në Dubrovnik të Kroacisë mëngjesi shkoi në 34 gradë Celsius.

Kreu bullgar i Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë nga Zjarri dhe Mbrojtjes së Popullsisë, deklaroi sot se situata e zjarreve në vend po bëhet më e ndërlikuar. “Më shumë se 200 zjarre u raportuan të dielën dhe kushtet si të shtunën ashtu edhe të dielën ishin jashtëzakonisht sfiduese,” tha ai.

Zjarri që nisi të dielën afër zonës spanjolle të pasur me ar, Las Medulas, e njohur për peizazhin e saj të kuq

Dëmtohet siti i UNESCO-s

Zjarret në veriperëndim të Spanjës rezultuan fatale për një sit të trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO-ja. Flakët nuk e kursyen sitin e Las Medulas, të mbetur prej kohëve romake. Temperaturat e larta dhe erërat me shpejti 40 km/orë krijuan “vështirësi të mëdha”, tha ministri rajonal për Mjedisin, Juan Carlos Suarez-Quinones.

Temperaturat në Spanjë vazhduan edhe këtë fillimjavë afër vlerës 40 gradë Celsius në shumë zona. Në qytezën turistike jugore të Tarifës, mbi 2 mijë persona u evakuan nga hotelet dhe plazhet pasi zjarri që u fik përkohësisht të premten, u rindez sërish.

Edhe zjarrfikësit e Portugalisë fqinje vazhduan betejën me tre vatra zjarri në qendër dhe veri të vendit.

Zjarri në Malin italian të Vezuvit detyron mbylljen e parkut kombëtar për turistët

Franca regjistron temperatura rekord

Jugu i Francës ka thyer rekorde temperaturash në katër stacione meteorologjike të vendit, duke bërë që qeveria franceze të apelojë për shtim të vigjilencës nga zjarret.

Qyteti jugperëndimor i Bordosë arriti vlerën 41,6 gradë Celsius, ndërsa rekordet u thyen edhe në stacionet e Berzherakut, Konjakut dhe San-Zhironit, sipas Meteo France.

Vala e të nxehtit filloi të premten dhe është parashikuar të zgjasë të paktën deri më 20 gusht. /AFP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme