Zjarret- Stabilizohet situata në shumë zona problematike, vihen nën kontroll flakët në Poliçan, ndërpritet përhapja drejt fshatit Nartë të Gramshit

Vijon “lufta” me flakët në të gjithë vendin, teksa pasditen e kësaj të enjte (14 gusht), duket se ka një përmirësim të situatës. Ministria e Mbrojtjes bën me dije aktualisht janë 23 vatra aktive, nga 29 që ishin paradite, ndërsa situata paraqitet e stabilizuar në shumë zona problematike.
Në Velçan të Beratit, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, është arritur të shmanget rreziku për banesat, ndërsa edhe në Poliçan flakët janë vënë nën kontroll. Në Gramsh, është ndërprerë përhapja e flakëve drejt fshatit Nartë, ndërsa në Mukaj dhe Sojnik nuk rrezikohen më banesat.
Problematike vijon situata në Syrin e Kaltër, ku vazhdon puna për shuarjen e zjarrit në lartësitë e Malit të Sopotit. Në terren janë 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Në mbështetje edhe avioni italian “Canadair”.
Situatë e rënduar paraqitet edhe në Fushë Arrëz në Kunorë Dardhë – Laku Klyz, Rrafshi i Sakatit, ku zjarri po përparon në terren të vështirë drejt zonave malore. Në operacion janë mbi 150 forca bashkiake, pyjore, vullnetare dhe efektivë të FA.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë djegur 42 banesa në Skënderbegas dhe fshatra të tjerë, si dhe 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, 1 thundrak, 80 koshere bletësh dhe shumë shpendë. Autoritetet kanë nisur procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura për të shmangur rrezikun e shpërthimit të ndonjë epidemie, ndërsa shërbimi veterinar po kryen procesverbalet përkatëse.
Vatrat aktive
Qarku Vlorë
Syri i Kaltër (Delvinë) – Vazhdon puna për shuarjen e zjarrit në lartësitë e Malit të Sopotit. Në terren janë 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Në mbështetje edhe avioni italian “Canadair”.
Pecë, Sirikat, Kardhikaq (Finiq) – Vatra në sipërfaqe me shkurre dhe pyje, po mbahet në vëzhgim nga strukturat vendore.
Kuç (Himarë) – Zjarr në sipërfaqe pyjore, në operim forcat zjarrfikëse.
Brataj (Selenicë) – Zjarr në shkurre dhe pyje, forcat zjarrfikëse në terren.
Qarku Dibër
Mali me Gropa, Val (Bulqizë) – Dy vatra në zonë të mbrojtur, terren i thyer; po monitorohet nga punonjës të AdZM dhe forca vullnetare.
Tërnovë (Bulqizë) – Zjarr në pyje të dendura, në operacion 8 zjarrfikës, forca pyjore, bashkiake dhe FA, me mbështetje nga një helikopter.
Qarku Berat
Zhapokikë, Plashnik, Rezervati Balloll (Poliçan) – Zjarr me përhapje të shpejtë, dje u evakuuan 20 banorë. Në terren po operojnë zjarrfikës, punonjës të AdZM, forca ushtarake dhe 3 helikopterë (2 nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 1 nga Çekia).
Velçan (Berat) – Pas angazhimit që në mesditë, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, është arritur të shmanget rreziku për banesat në Velçan, Bashkia Berat. Situata po monitorohet nga pranë nga AKMC, teksa 20 efektivë shtesë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore do vazhdojnë të operojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrës.
Orizaj (Skrapar) – Zjarr në shkurre, pa rrezik për banesat, nën monitorim.
Vokopolë (Poliçan) – Vatra me intensitet të ulët, nën monitorim.
Mbrakull (Poliçan) – Situatë e qetë dhe nën kontroll.
Qarku Tiranë
Ibë (Tiranë) – Zjarr i vënë nën kontroll, u shmang rreziku për banesat.
Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj (Tiranë) – Vatra e vënë nën kontroll, pa rrezik për banesat.
Ferraj dhe Zall-Herr (Tiranë) – Vatra është vënë nën kontroll, pas një pune mjaft të vështirë për shkak të terrenit.
Spanesh, Kazie (Rrogozhinë) – Zjarr i izoluar, nën vëzhgim.
Qarku Gjirokastër
Dhuvjan, Lugar, Frashtan (Dropull) – Zjarr i vënë nën kontroll, situata e qetë.
Hormovë (Tepelenë) – Zjarr në lartësitë e Majës së Golikut; një vatër tjetër pranë antenave të RTSH, po mbahet nën monitorim.
Qarku Elbasan
Kullollas, Kodovjat, Ermenj (Gramsh) – Është ndërprerë përhapja drejt fshatit Nartë, pas punës së forcave. Në terren zjarrfikës, forca bashkiake, FA dhe vullnetarë.
Mukaj, Sojnik (Gramsh) – Zjarr në shkurre e ferra, nuk rrezikohen banesat; në terren forca zjarrfikëse, FA dhe vullnetarë.
Qarku Shkodër
Kunorë Dardhë – Laku Klyz, Rrafshi i Sakatit (Fushë Arrëz) – Situata e rënduar, zjarri po përparon në terren të vështirë drejt zonave malore. Në operacion janë mbi 150 forca bashkiake, pyjore, vullnetare dhe efektivë të FA.
Qarku Korçë
Gërmenj (Kolonjë) – Zjarr në pyje pishe, në operim nga forcat zjarrfikëse.
Qarku Lezhë
Velës (Mirditë) – Zjarri në pyll pishe, në terren forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore dhe vullnetare, me vështirësi për shkak të dendësisë së bimësisë.
16:24 – Dëmet nga zjarret në Shqipëri sipas EFFIS, mbi 25 mijë hektarë të djegur në gusht
Sistemi Europian i Informimit mbi Zjarret (EFFIS) parashikon që rreziku nga zjarret në Shqipëri do të mbetet i lartë të paktën deri në fund të javës tjetër.
Në harkun e dy javëve që nga fillimi i gushtit, sipas EFFIS-it, llogaritet që vendit t’i jenë djegur mbi 25.800 hektarë sipërfaqe. Qarku i Vlorës kryeson për sasinë e dëmeve natyrore me një total prej 14.928 hektarë pyje e toka të djegura, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 4.293 hektarë të djegur dhe qarku i Beratit me 2.265 ha sipërfaqe të djegur.
Të dhënat nga EFFIS deri në orën 16:00 për vlerësimin e dëmeve nga zjarret gjatë periudhës 1–14 gusht 2025:
- Qarku i Vlorës, 14.928 hektarë të djegur
- Qarku i Elbasanit, 4.293 ha
- Qarku i Beratit, 2.265 ha
- Qarku i Gjirokastrës, 1.556 ha
- Qarku i Tiranës, 1.014 ha
- Qarku i Shkodrës, 950 ha
- Qarku i Dibrës, 494 ha
- Qarku i Korçës, 143 ha
- Qarku i Fierit, 94 ha
- Qarku i Kukësit, 71 ha
15:26 – “Shpëtim nga qielli”, në Gjirokastër nis shiu pas disa ditësh nën zjarr
Shiu ka gjetur Gjirokastrën këtë të enjte, duke i freskuar rrugët qytetit, ndërsa Shqipëria nga veriu në jug përballet me vatrat e zjarrit. Nga data 1 gusht, qarku i Gjirokastrës llogaritet të ketë humbur rreth 1.550 hektarë bimësi e pyje prej flakëve, sipas të dhënave të Sistemit Europian të Informimit mbi Zjarret.
15:17 – Aktivizohen dy vatra të reja zjarri në Mirditë, digjen pyjet
Dy vatra zjarri janë aktivizuar gjatë ditës së sotme në masivin pyjor pranë fshatit Velë, në Mirditë. Për shkak të dendësisë së pyllit dhe erës së fortë, flakët po marrin përmasa të mëdha dhe rrezikojnë të përhapen më tej.

Në terren ndodhen forcat e bashkisë Mirditë, të cilat po punojnë për izolimin e zjarrit. Autoritetet i bëjnë thirrje banorëve të zonës që kanë mundësi, të ofrojnë ndihmë për përballimin e situatës.
14:07 – Kisha Ortodokse: Të lutemi për pushimin e shpejtë të zjarreve, për vëllezërit e motrat
Në shenjë solidariteti me situatën e rëndë që po kalon vendi, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ftoi të enjten besimtarët që në shërbesat e shenjta të përfshijnë edhe një lutje të posaçme për ata që kanë humbur jetën, po rrezikojnë apo vuajnë për shkak të zjarreve të shumta.

“Për pushimin e shpejtë dhe pa pasoja të zjarreve, për shpirtrat e atyre që humbën jetën dhe për ndihmën e vëllezërve e motrave që gjenden në rrezik e në vuajtje për shkak të tyre, me pergjerim dhe solidaritet, le t’i lutemi Zotit.
Kjo lutje do të shqiptohet veçanërisht në të gjitha shërbesat e shenjta të festës së madhe të Fjetjes së Hyjlindëses Mari, më 15 gusht, një ditë tepër e shenjtë dhe e dashur për besimtarët orthodhoksë shqiptarë. I bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve të marrin pjesë duke bashkuar zërin e tyre në lutje, që me ndërmjetësinë e Hyjlindëses së Tërëshenjtë, vendi ynë të ruhet dhe shpëtohet nga çdo rrezik dhe fatkeqësi,” thuhet në njoftimin e Kishës.
13:47 – Neutralizohen zjarret në fshatin Skënderbegas të Gramshit
Raporton gazetari Enes Molla
Gramshi është duke u përballur me orë të vështira, ndërsa zjarri po djeg pyje, shtëpi dhe bagëti. Në këtë skenë apokaliptike në ndihmë të forcave të zjarrfikëses kanë ardhur qytetarë dhe efektivë policie. Një prej tyre ka qenë oficeri i krimeve, Alfred Zhupani, i cili u hodh në mes të rrezikut për të shpëtuar jetë. Nga fotot e bëra virale në rrjet, Zhupani, mbajti në krahë një grua të moshuar dhe vrapoi mes flakëve të cilat përhapeshin me shpejtësi, pa menduar as për rrezikut, as për lodhjen.

Ndërkohë, zjarrfikësit kanë mundur të neutralizojnë zjarret në fshatin Skëndërbegas, aty ku dhe situata paraqitej alarmante përgjatë orëve të fundit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu përmes një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se në ndihmë të zjarrfikësve të zonës kanë shkuar dhe zjarrfikës nga Korça, si dhe Pusteci.
Sakaq, banorët në disa fshatra të Gramshit janë duke u kthyer nëpër banesat e tyre. Sakaq situata alarmante thuhet se është në pyjet e Sojnikut dhe Snomsit. Gjithashtu, flakët kanë dalë jashtë kontrollit edhe në malin e Komjanit ku si pasojë e erës dhe bimësisë të thatë zjarri po përhapet me shpejtësi.
13:01 – Zjarret në qarkun e Beratit – 15 banesa të shkatërruara, dhjetëra familje të evakuara
Prej katër ditësh, vatrat e zjarrit në zonën e mbrojtur Balloll të njësisë administrative Tërpan, Poliçan, vijon të digjet me intensitet mesatar. Flakët janë përhapur në disa drejtime përfshirë fshatin Plashnik të Madh, lagjen Selenicë të fshatit Çorogjaf, si dhe sipërfaqe të gjera pyjore.
Terreni i vështirë dhe dendësia e pyllit e bëjnë të pamundur ndërhyrjen nga toka, ndërsa dy helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, po punojnë për shuarjen e flakëve nga ajri. Banorët thonë se ndërhyrja ajrore është e vetmja mundësi për të ndalur përhapjen e flakëve.

Një natë më parë, banorët e fshatit Plashnik u evakuan me forcë nga ushtria. 18 familje u strehuan në qendrat pritëse të Poliçanit. Sipas të dhënave paraprake, në bashkinë Poliçan janë shkatërruar 15 banesa, prej të cilave 7 të ndërtuara këtë vit. Përveç Poliçanit, në qarkun e Beratit janë aktive edhe dy vatra të tjera: në fshatin Velçan të njësisë administrative Sinjë, ku terreni i vështirë pengon ndërhyrjen, dhe në fshatin Orizaj të njësisë Qendër Skrapar, ku flakët vijojnë të jenë jashtë kontrollit.
12:38 – Nën kontroll vatra e zjarrit te Syri i Kaltër
Zjarri i rënë pranë Syrit të Kaltër është nën kontroll aktualisht nga forcat zjarrfikëse, duke mos prekur parkun natyror.
Edhe pse disa vatra të vogla riaktivizohen herë pas here, flakët janë nën kontroll duke mos rrezikuar të hyjë në brendësi të Syrit të Kaltër.
Strukturat në terren vijojnë të jenë në gatishmëri për të parandaluar përhapjen e flakëve.

11:53 – Zjarret në Kukës, vatrat në malin e fshatit Bele shuhen brenda disa orësh
Pasditen e djeshme, mali i fshatit Bele i njësisë administrative Zapod, u përfshi nga flakët. Kjo zonë është pjesë e Parkut Kombëtar Korab–Koritnik. Efektivë të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi Kukës, punonjës të bashkisë, të agjencisë së zonave të mbrojtura dhe banorë të zonës u angazhuan, duke sfiduar terrenin e vështirë dhe erën e fortë për të ndaluar përhapjen e flakëve.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Kukës, Bajram Nenada, apelon qytetarët që të evitojnë ndezjen e mbeturinave apo zjarreve në ambiente të hapura, sidomos në këto ditë me temperatura të larta. “U bëj thirrje të gjithë banorëve të Kukësit që për asnjë arsye të mos ndezin zjarr. U bëj thirrje të bashkohen me ne, të na ndihmojnë në mënyrë që të mbrojmë mjedisin dhe pyjet,” shtoi z. Nenada.
11:11 – Shuhet zjarri në Hormovë, arrihet të shmangen përhapjet e flakëve drejt Gjirokastrës

Pas fikjes së vatrës së zjarrit në fshatin Hormovë, bashkia Tepelenë, autoritetet lokale dhe punonjësit e MZSH Gjirokastër morën masa të menjëhershme për të parandaluar përhapjen e flakëve që vinin nga drejtimi i Delvinës drejt Gjirokastrës.
Shërbimi i MZSH Gjirokastër ka zhvilluar operacione në malin e Sopotit, duke arritur të ndalojë përhapjen e zjarrit në kufirin ndarës mes bashkive Delvinë dhe Gjirokastër. Për të siguruar një kontroll të plotë mbi situatën, trupa e shërbimit kaloi natën në terren, duke monitoruar zonën dhe duke qëndruar në gatishmëri për çdo riaktivizim të mundshëm të flakëve.
10:05 – Rama: Zjarrvënësit, kriminelë që meritojnë ndëshkime maksimale
“Policia e Shtetit ditë natë në këmbë për identifikimin dhe kapjen e zjarrvënësve, në një sezon me një rritje të numrit të tyre po edhe me numrin më të madh të kapur nga forcat e rendit.
Gjatë muajve qershor – korrik dhe deri më 14 gusht:
- 137 autorë të zjarrvënieve të identifikuar
- 46 të arrestuar
- 91 të proceduar penalisht
Forcat Kombëtare të Sigurisë, “Shqiponja”, patrullat e përgjithshme dhe forcat operacionale, nën drejtimin e drejtorive vendore dhe Drejtorisë së Përgjithshme, do të vijojnë në terren dhe me ndihmën e teknologjisë do të mundësojnë dorëzimin para drejtësisë të këtyre kriminelëve që meritojnë ndëshkime maksimale,” shkruan kryeministri Edi Rama në Facebook.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



