Europa ende në flakë – Spanja, Greqia, Turqia e Franca në luftë me zjarret

Europë | 1 vit më parë

Temperaturat tepër të larta po vijojnë të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të Europës Jugore, ku termometri pritet të shënojë deri në 44 gradë Celsius. Disa vende të Mesdheut, si Spanja, Greqia apo edhe Turqia, po vijojnë luftën me zjarret.

Në Greqi, forcat zjarrfikëse po vënë nën kontroll flakët që përfshinë zonën pranë Patrës, ku një 25-vjeçar është vënë në pranga për zjarrvënie të qëllimshme. Flakët vijojnë të kërcënojnë ishullin e Kosit apo të Zakynthosit.

Situata vijon të jetë e vështirë në Spanjë, vend i cili ka kërkuar aktivizimin e mekanizmit të ndihmës së Bashkimit Europian. Mijëra hektarë tokë në disa krahina të vendit, por edhe në fqinjët e Spanjës, Portugali dhe Francë janë shkatërruar nga flakët. Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve në Spanjë, ndërsa mijëra të tjerë janë evakuuar.

Një person humbi jetën si pasojë e një zjarri në jug të Turqisë, vend i cili po përballet me flakët që nga fundi i qershorit.

Ndërkaq, për shkak të temperaturave të larta, Papa Leoni vendosi që audiencën javore që zakonisht e mban të mërkurave në sheshin “Shën Pjetri”, ta zhvillojë në mjediset e brendshme në Vatikan. Kjo pasi Ministria italiane e Shëndetësisë lëshoi paralajmërime për temperatura të larta në 16 qytete të vendit.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme