Starmer pas takimit me Zelenskyn: Putin duhet të provojë se e ka seriozisht paqen

Kryeministri britanik Keir Starmer ka theksuar se presidenti rus Vladimir Putin duhet të “vërtetojë se e ka seriozisht paqen” gjatë takimit me Donald Trumpin këtë të premte, në një samit të planifikuar në Alaskë.
Në një deklaratë pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Londër, Starmer theksoi se do të ishte mundësi për progres nëse Putin do të ndërmerrte veprime të qarta për të treguar angazhimin e tij për një zgjidhje paqësore.
“Ka një mundësi për të bërë përparim në Alaskë, nëse Putin është i gatshëm të veprojë dhe të tregojë se e ka seriozisht çështjen e paqes”, tha Starmer.
Nga ana e tij, Zelensky e vlerësoi takimin me Starmer si “produktive”, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të qëndrimeve mes dy liderëve.
Zelensky gjithashtu foli për “programet mbështetëse” për ushtrinë dhe industrinë mbrojtëse të Ukrainës, si dhe investimet në prodhimin e dronëve në vend.
“Po punojmë ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe të gjithë partnerët tanë për këto projekte”, shkroi ai në X, duke falenderuar Starmer për mbështetjen e tij të vazhdueshme.
Kjo zhvillim vjen një ditë pasi Trump, në një telefonatë online, siguroi udhëheqësit evropianë se nuk do të diskutojë me Putin për heqjen dorë nga territoret ukrainase pa pëlqimin e Kievit. Po ashtu, ai la të kuptohej se një takim i dytë mund të realizohej, i cili mund të përfshinte edhe presidentin Zelensky.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




