Prokuroria Speciale e Kosovës dorëzon aktakuzën për krime lufte ndaj 21 të pandehurve

Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzën për krime lufte në Kosovë ndaj 21 të pandehurve.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, gjatë fjalës së tij në konferencën për medie, bëri me dije se ndonëse aktakuza është ngritur në mungesë të të pandehurve, është e bazuar në prova dhe vjen pas disa vitesh hetime intensive.
Emrat e 21 të pandehurve nuk u bënë me dije për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Isufaj theksoi se kjo aktakuzë shënon një hap të rëndësishëm për vendosjen e drejtësisë dhe për të vendosur përpara përgjegjësisë autorët që kanë shkaktuar vuajtje gjatë periudhës janar-qershor të 1999 në Kosovë.
“Sot e kemi dorëzuar në gjykatë aktakuzën që përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe përgjegjësisë për vuajtjet që janë shkaktuar gjatë luftës në Kosovë. Është bërë një punë e madhe dhe e përkushtuar për të siguruar që aktakuza të mbështetet në prova përtej çdo dyshimi të bazuar mirë, pavarësisht se ajo është ngritur në mungesë të pandehurve”, deklaroi ai.
Nga ana e tij prokurori Atdhe Dema bëri me dije disa nga aktet e kryera nga 21 të pandehurit, të cilat përfshijnë shkatërrimin sistematik të pronës civile, djegien e banesave e infrastrukturës, sulmet e drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje e ndalime arbitrare, duke rezultuar me dëbimin e detyruar masiv të 863 mijë civilëve shqiptarë drejt shteteve fqinje.
“Pra, bëhet fjalë për ushtrinë e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Policinë e Serbisë”, tha Dema teksa shtoi se të pandehurit kanë pasur dijeni apo arsye të mjaftueshme për të ditur se pjesëtarët e atyre forcave kanë kryer veprime të ndaluara rreptësisht nga e drejta ndërkombëtare humanitare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




