Festa e “Fjetjes së Hyjlindëses”, besimtarë ortodoksë dhe turistë kryejnë ceremoninë bashkarisht në Zvërnec

Aktualitet | 1 vit më parë

U kremtua në manastirin e Shën Hyjlindëses në Zvërnec, dita e “Fjetjes së Hyjlindëses”, një festë e përvitshme që mbledh besimtarët ortodoksë çdo datë 14 dhe 15 gusht.

Kjo festë, bëri bashkë besimtarët ortodoksë dhe turistët, ku në mbrëmjen e datës 14, besimtarët kaluan natën në ishull në natyrë, në nder të Hyjlindëses.

Ndërsa 15 gushti, është dita e pritjes, teksa besimtarët pas ceremonisë largohen me degë dafine në duar, duke shpërndarë dhe urimet për paqe, qetësi e prosperitet.

“Mesha e sotme dhe e djeshme i dhanë një kuptim lutjes së gjerë në Kishë, për të ndihmuar të gjithë ata që u prekën nga kjo fatkeqësi, të gjithë ata shpirtra që humbën dhe ata që luftojnë në mënyrë vetëmohuese në shuarjen e zjarreve dhe në këtë ngjarje të pazakontë në vendin tonë”, tha prifti Jani Terziu, drejtuesi i Kishës së Shën Mërisë në fshatin Zvërnec të Vlorës.

Festa e “Fjetjes së Hyjlindëses” kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi kreshmor. Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit.

Ajo shpall që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

Festa e Fjetjes së Hyjlindëses është kremtimi i faktit, që të gjithë njerëzit janë “lartësuar” në lumërinë e Krishtit fitimtar dhe që ky lartësim tashmë është kryer tek Maria Hyjlindëse.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme