Kritikat për menaxhimin e situatës së zjarreve, Rama: Ruhuni nga piromanët verbalë, shfaqin prirje për të krijuar tension

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e zjarreve dhe debatin e kritikat ndaj qeverisë për menaxhimin e tyre.

Rama përdori termin “piroman verbal”, sipas një shpjegimi të dhënë nga inteligjenca artificiale, për të treguar individët të cilët shfaqin prirje të vazhdueshme për krijuar tension dhe konflikt.

Kryeministri shpërndau një video dramatike nga zjarret në Greqi, duke thënë se edhe një shtet i pajisur me 77 avionë zjarrfikës e ka të vështirë luftën me flakët, ndaj nuk është thjesht çështje pajisjesh.

“Lufta me zjarret në kushtet e ndryshimit të klimës është sot ku e ku më e komplikuar se sa duket, kur do të fajësosh qeverinë dhe bërtet pse s’ka avionë apo kur nuk do të kuptosh e thua që kryeministri thotë s’kanë ç’na duhen avionët,” shkroi Rama.

Më poshtë reagimi i Kryeministrit Rama në rrjetet sociale:

“Ruhuni nga piromanët verbalë

Kjo video është një moment tragjik i këtyre ditëve nga përballja e vendit fqinj me zjarret.

Po e postoj për të gjithë ata që flasin nga urrejtja apo nga sëkëlldia për avionë e për roje pylli, sepse ky vendi fqinj ka 77 avionë zjarrfikës por lufta me zjarret sot është ku e ku më e komplikuar se sa duket kur do të fajësosh qeverinë pse s’ka avionë.

Ndërkohë sipas ChatGPT:

Në terma mjekësorë, piromania (zjarrvënia) është një çrregullim i kontrollit të impulseve, ku personi ndien një shtysë të fortë për të ndezur zjarre dhe përjeton një ndjenjë kënaqësie ose çlirimi pas këtij veprimi.

Një piroman është një person që, me dashje dhe shpesh për kënaqësi ose impulse personale, i vë zjarr ndërtesave, pyjeve, automjeteve apo pronave të tjera. Në shumicën e vendeve piromania trajtohet si një çrregullim psikologjik që shpesh kërkon trajtim, por edhe si një krim që ndëshkohet rëndë nga ligji.

E pyetur për piromaninë verbale ChatGPT shpjegon:

Piromani verbal është një individ që shfaq prirje sistematike për të gjeneruar tension, konflikt ose polarizim shoqëror përmes gjuhës së folur apo të shkruar, shpesh me qëllim përfitimi politik, mediatik ose personal. Ai përdor deklarata të ngarkuara emocionalisht, insinuata, dhe narrativa konspirative si “stimulues ndezës”, duke shkaktuar reaksione të forta në publik.

Ky fenomen mund të shihet si një variant metaforik i piromanisë klasike, ku objekti i shkatërrimit nuk është materiali fizik, por kapitali social dhe besimi publik. Në rastin specifik të akuzave për zjarret, piromani verbal instrumentalizon fatkeqësitë natyrore si “material djegës” diskursiv, duke krijuar një klimë mosbesimi dhe histerie kolektive, pavarësisht mungesës së provave faktike.

Ruhuni nga piromanët verbalë të këtij vendi, humbës kronikë që nuk kanë asgjë më për të humbur”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme