Zbardhet plagosja e 28-vjeçarit në Hamallaj, arrestohen 2 persona, në kërkim 2 të tjerë. Policia: Konflikti nisi prej parkimit

Aktualitet | 1 vit më parë

Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në Hamallaj, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar, gjatë një konflikti me sende të forta e më pas me armë zjarri, për parkimin e një automjeti.

Policia ka vënë në pranga 2 persona ndërsa ka shpallur në kërkim dy të tjerë pasi dyshohen për veprat penale të “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Policia sqaron se një ditë më parë (20 gusht) në Hamallaj 37-vjeçari i arrestuar në bashkëpunim me vëllanë dhe nipin e tij të shpallur në kërkim janë konfliktuar me 28-vjeçarin për parkimin e automjetit përpara zonës së plazhit, fillimisht me sende të forta e më pas në përdorimin e armës së zjarrit (pa leje).

Për pasojë 28-vjeçari ka pësuar dëmtime shëndetësore dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Policia gjeti në vendngjarje sende të forta si bishta druri të përdorur në konflikt.

“Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Hamallaj, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. L., 37 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

A. S., 18 vjeç, banues në Borakë, Shijak, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:

A. L., 44 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

S. L., 21 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve””, thuhet në njoftim.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e të dyshuarve të shpallur në kërkim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme