ILD përmbush 59 detyrimet e Ministrisë së Financave, efektiv sistemi i kontrollit të brendshëm

Në javën e parë të qershorit 2025, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) ka qenë objekt i një kontrolli të thelluar për sistemin e saj të kontrollit të brendshëm, nga Drejtoria e Harmonizimit të Menaxhimit Financiar, Kontrollit dhe Kontabilitetit e Ministrisë së Financave.
Ekipi i Ministrisë së Financave ka monitoruar me kujdes proceset e punës në ILD, duke analizuar në detaje sistemet e kontrollit të brendshëm, përfshirë mjedisin e kontrollit, menaxhimin e riskut, aktivitetet e kontrollit që synojnë reduktimin e risqeve, si dhe informacionin dhe komunikimin. Po ashtu, janë vlerësuar dhe proceset e monitorimit, për të siguruar që aktivitetet e institucionit janë të rishikuara dhe të bazuara në një dokumentacion të qartë për çdo rubrikë të listës së kontrolleve.
Në përfundim të këtij procesi monitorimi dhe analizimi, raporti i Drejtorisë së Kontrollit Financiar ka dhënë vlerësimin maksimal për sistemin e kontrollit të brendshëm të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Sipas raportit, të gjitha 59 pyetjet e vlerësimit janë plotësuar me sukses, duke vlerësuar se “Sistemi i kontrollit të brendshëm në institucionin e ILD është efektiv, me 59 pika të plota të plotësuara nga lista e kontrollit të shoqëruar me dokumentacion justifikues.”
Raporti thekson se sipas metodologjisë për vlerësimin e cilësisë së sistemit të kontrollit të brendshëm në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, “Sistemi i Kontrollit të Brendshëm konsiderohet efektiv nëse nuk janë zbuluar asnjë ose janë zbuluar shumë pak dobësi dhe mangësi të zbatimit të sistemit të kontrollit të brendshëm.”
Ky vlerësim i lartë dëshmon angazhimin e ILD për të ruajtur standardet më të larta të transparencës dhe menaxhimit financiar të shëndoshë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



