Përkujtohet sot 115-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, simboli i dashurisë dhe përkushtimit

Aktualitet | 1 vit më parë

26 gushti shënon 115-vjetorin e lindjes së Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza.

Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ajo tërë jetën e saj ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë.

Në vitin 1950, Nënë Tereza themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë, që u shndërrua në një nga organizatat humanitare më të njohura në botë. Ajo dhe motrat e urdhrit të saj punuan për të ndihmuar njerëzit më të margjinalizuar. Për përkushtimin e saj.

Në vitin 1979 ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në Tribunën e Oslos. Siç i referohet një artikull i posaçëm i “Radio Vatikanit”, mbi këtë çmim të madh të dorëzuar ndaj saj prej jurisë ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Suedisë, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e pranoi çmimin vetëm pasi një pranim i tillë do t’u vlente shumë të varfërve të saj. Në vitin 2003 ajo u shpall e Lume nga Papa Gjon Pali II dhe Shenjte nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

Lidhja e Nënë Terezës me Shqipërinë ishte e fortë dhe e thellë. Ajo mbante me krenari rrënjët e saj shqiptare, dhe shpesh e përmendte origjinën e saj. Edhe pse jetoi dhe punoi kryesisht në Indi, zemra e saj ishte gjithmonë e lidhur me popullin shqiptar.

Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Për vlerat e saja jetësore, Nënë Tereza u shpall Shën Tereza nga Kisha e Shenjtë në Vatikan.

Spiropali: Shenjtorja Terezë dhe Poeti Migjen na ndezin krenarinë për të mëdhenjtë tanë që ia kemi dhënë edhe botës

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku krahas 116-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, përkujton në këtë datë edhe largimin nga kjo botë të poetit Migjeni.

“Shën Tereza lindi më 26 gusht 1910. Migjeni u largua nga kjo botë pikërisht më 26 gusht 1938. Dy të përunjurit e mëdhenj, luftëtarët e paepur në mbrojtje të vegjëlisë, i lidhte pazgjidhshmërisht zinxhiri mahnitës lindje-vdekje si shkak-pasojë. Lutjet e Shën Terezës dhe kujat poetike të Migjenit, ishin e njëjta klithmë shpirtrash të mëdhenj nga Shqipëria e vogël drejtuar padrejtësive të botës. Njëra nga Lindja, tjetri nga Vdekja, Shën Tereza dhe Migjeni vijnë bashkë çdo 26 gusht për të na kujtuar se kudo ku ka dëshpërim dhe dhimbje, ka ngushëllim dhe shpresë. Shenjtorja Terezë dhe Poeti Migjen na ndezin krenarinë për të mëdhenjtë tanë që ia kemi dhënë edhe botës”, shkruan Spiropali.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme