“Kujtesa është detyrim i së ardhmes”, Spiropali për të zhdukurit në komunizëm: Nuk është kurrë vonë për të bërë drejtësi
“Kujtesa nuk është e së shkuarës — është detyrim i së tashmes.” Me këtë mesazh u mbajt të enjten simpoziumi “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944–1991 – Shkodra përballë të kaluarës”.
Aktiviteti përkujtues para 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, u organizua në Shkodër nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH). Drejtuesja e AIDSSH-së, Gentiana Sula, tha se qyteti i Shkodrës, në vlerë absolute, mban numrin më të lartë të të përndjekurve dhe të vrarëve me dënime penale me vdekje, si edhe për arratisjet, internimet. Për shkak të afërsisë me kufirin e Malit të Zi, Shkodra u bë nyja e izolimit gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri: një territor i militarizuar, i survejuar nga forcat kufitare dhe ish-Sigurimi i Shtetit.
Edhe Elisa Spiropali, kryetarja e Parlamentit, tha se ceremonia nuk mund të kishte kuptim askund tjetër më shumë se në Shkodër.
“[Ky komunitet i qëndresës] e vuajti si asnjë qytet tjetër në Shqipëri hakmarrjen e regjimit ndaj kundërshtarëve të tij. Një qytet që u bë simbol i përndjekjes, por edhe i rezistencës; i vuajtjes, por edhe i identitetit të papërkulur qytetar e kulturor. Në këtë qytet të mrekullueshëm me det e male përreth, me lumenj e liqen si askund tjetër, e me një kështjellë për krye, janë luajtur me qindra drama njerëzore: klerikë të arrestuar e të pushkatuar me varr të humbur, intelektualë dhe punëtorë, të rinj e të reja të vrarë në kufi. Janë viktimat që kërkojnë e meritojnë respekt, kujtesë e drejtësi,” u shpreh znj. Spiropali.
Midis viteve 1944–1991, mijëra shqiptarë u zhdukën pa gjurmë, u burgosën, u pushkatuan dhe përjetuan një izolim të pashembullt.
“Nuk është kurrë vonë për të bërë drejtësi një domosdoshmëri për ndërgjegjen tonë të përbashkët. Në fakt, akt drejtësie është edhe respekti ynë i thellë, pengu i të gjithë shoqërisë për çfarë ka ndodhur dhe bindja se makthe të tilla ndërkombëtare nuk do të përsëriten kurrë. Edhe ndaj harresës duhet qëndresë! Po kaq e fortë kjo përpjekje sa epike, po aq duhet të jetë edhe kulturore, pjesë e çdo antologjie historike, shkollore e sociale.
Mungesa e të dhënave të plota, fshehja e varreve, mohimi i së drejtës për të ditur e shtuan dritën dhe e shtrinë atë përtej jetëve të humbura, në një plagë që sot është e hapur në ndërgjegjen kombëtare. Ka nëna që nuk e mësuan kurrë fatin e birit. Ka fëmijë që nuk patën kurrë figurën e atit. Ka vëllezër e motra që jetuan në mungesën si pjesë të përditshmërisë së tyre. Kjo nuk është vetëm një çështje private e disa familjeve. Është një plagë kolektive që kërkon përgjigje publike,” deklaroi kryeparlamentarja.
Simpoziumi synoi t’u japë zë viktimave, të dokumentojë faktet dhe të edukojë mbi të shkuarën.

Drejtuesja e AIDSSH-së tha se institucioni që kryeson po bën përpara me protokollet për kërkimin dhe gërmimin në zonat ku dyshohet të kenë përfunduar të zhdukurit nga regjimi.
“Ne e dimë që gërmimet e këtyre varreve, kur kanë kaluar kaq vjet të pagjetura, nuk do të jenë të thjeshta. Këto nuk janë varre që janë harruar diku. Këto janë varre që janë fshehur me qëllim nga shteti. Ne kemi gjetur dokumentacion të plotë të urdhrave, udhëzimeve dhe urdhëresave të lëshuara nga shteti i asaj kohe për t’i fshehur që të mos i gjejë publiku, të mos i gjejnë familjet, të mos kthehen në vende pelegrinazhi, të mos u jepet zemër këtyre pamjeve. Ne e dimë që kjo është e vështirë. E dimë që mund të gërmojmë shtatë herë dhe të gjejmë një herë eshtra. Por gjithsesi, kjo është rruga!” tha znj. Sula.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian në vend, Silvio Gonzato. Edhe zyra e BE-së në vend do të shënojë të shtunën Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
“Është shumë emocionuese për mua t’i drejtohem një dhome plot me njerëz që e kanë përjetuar në mishin e tyre apo përmes të afërmve, brutalitetin e regjimit komunist. Të shtunën do të kujtojmë jo thjesht jetët e shumta që humbën dhe faktin që ka familje të cilat ende presin të vërtetën dhe drejtësinë që meritojnë, por do të kujtohemi edhe për përgjegjësitë tona kolektive për ta mbajtur gjallë këtë memorie, këtë njollë të zezë në historinë e Shqipërisë.
Që prej vitit 2017, Bashkimi Europian e ka mbështetur Shqipërinë në adresimin e çështjes së trashëguar të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist. Adresimi i së kaluarës kërkon vullnet politik, legjislacion, burime dhe bashkëpunimin aktiv të institucioneve, arsimtarëve, medies, artit dhe komuniteteve. Parlamenti, mendoj, është institucioni që ekziston për të siguruar që këto pritshmëri të arrihen dhe për të siguruar që Autoriteti [i Dosjeve] ka të gjitha instrumentet e nevojshme për të kryer detyrat dhe për të koordinuara aktivitetet që lidhen me dhënien viktimave të këtij regjimi brutal, edhe familjeve të tyre, kompensimin e merituar dhe të sigurojë llogaridhënie për të gjithë,” u shpreh ambasadori Gonzato.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




