Berisha konfirmon Gazment Bardhin në krye të grupit parlamentar, Këlliçi dhe Alizoti caktohen nënkryetarë

Politikë | 1 vit më parë

Kryedemokrati Sali Berisha ia ka besuar drejtimin e grupit parlamentar demokrat sërish Gazment Bardhit, ndërsa nënkryetarë ka caktuar Belind Këlliçin dhe Tomorr Alizotin. Pozicioni i sekretares së grupit parlamentar i është besuar Elda Hotit.

Si nënkryetar Kuvendi, Berisha ka caktuar Agron Gjekmarkajn, ndërsa zëdhënësja e demokratëve do të jetë Ledina Alolli. I vetmi që votoi kundër propozimeve të Berishës ka qenë deputeti Bujar Leskaj.

“Kam bindjen se ky grup me mbështetjen që do i bëjë Bardhit, do të njohë një performancë të re gjatë kohërave që vijnë. Për nënkryetar të grupit, Këlliçin dhe Alizotin. Nënkryetar Kuvendi, Agron Gjekmarkaj”, deklaroi Berisha.

Propozimet e kryedemokratit vijnë një ditë pas mbledhjes së Kryesisë, ku Berisha komunikoi edhe vendimin për t’u futur në Parlament, por pa njohur zgjedhjet e 11 majit.

Ndonëse deklaroi sërish se nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit, Berisha u shpreh se vendimi për të hyrë në Kuvend nuk është i lavdishëm, por sipas tij, ka për qëllim “luftën” e demokratëve për të fituar votën e lirë.

“Qenia jonë në parlament si zëdhënës të tyre, të problematikave të tyre, të interesave të tyre, të idealeve dhe parimeve që ata mbrojnë, është rruga e vetme për të krijuar impaktin pozitiv maksimal dhe për të vazhduar këtë betejë kundër këtij regjimi që sado duket sot i gjithëpushtetshëm, u garanton se Lanën, me punën tonë që do bëjmë, nuk do ta ketë të largët”, deklaroi Berisha.

Ky i fundit theksoi se ndonëse Rama siguroi mandatin e katërt qeverisës, Partia Demokratike ka mision që të vijojë betejën për t’iu paraqitur qytetarëve atë të cilën ai e cilësoi si “farsë elektorale”.

“Edi Rama rrëmbeu mandatin e katërt. Misioni ynë është të mos e gëzojë këtë mandat. Ai nuk mund ta gëzojë këtë mandat.

Po shihja sot spote kundër korrupsionit të qeverisë komuniste të Nepalit. Dhe u kishin nxjerrë ato ornamentet, syze 500 euro, këpucë 1 mijë euro, xhaketat 700 euro, po të gjitha ato të marra së bashku nuk kushtojnë sa çantat e Lubisë apo e Spiropalit. Apo çanta e Uluzi Manjës. Të gjitha të marra nuk kushtojnë aq. Se këta nuk i fshehin, përkundrazi krenohen me vjedhjet e tyre. Ndaj dhe ne, them se do u faktojmë mbështetësve tanë se vendimi për të hyrë në parlament dhe për të mbrojtur interesat e tyre ishte vendimi i tyre. Beteja do bëhet në të gjitha hapësirat që ne kemi”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme