Kaosi në Kuvend, Bardhi: Të përsëritet seanca, Presidenti të mos thërrasë për betim ministrat. Mocion për shkarkimin e Peleshit

Politikë | 1 vit më parë

Pas kaosit në seancën e sotme plenare, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka bërë me dije tri vendimet e marra në mbledhjen e zhvilluar prej tyre, direkt pas përfundimit të seancës.

Demokratët kërkojnë përsëritjen e seancës plenare për prezantimin e programit qeverisës dhe për përbërjen e qeverisë, ndërsa i bënë thirrje Presidentit Bajram Begaj që të mos thërrasë për betim ministrat. Po ashtu, Bardhi tha se do të nisin procedurat për mocion shkarkimi ndaj kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, me pretendimin se shkeli rregulloren e Kuvendit.

“Ne kërkojmë përsëritjen e seancës solemne kushtetuese parlamentare të paraqitjes së programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave. Së dyti, i bëjmë thirrje Presidentit që të marrë praktikën parlamentare të asaj që ndodhi, për të konstatuar që votimi është antikushtetues, sepse është kryer jashtë rregullave të caktuara nga Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, dhe të mos thërrasë për betim anëtarët e propozuar të Këshillit të Ministrave pa pasur një procedurë të rregullt parlamentare.

Së treti, grupi parlamentar i PD ka vendosur nisjen e procedurave parlamentare për mocionin e shkarkimit të kryetarit të Kuvendit, për shkak se është një kukull që urdhërohet nga Edi Rama sesi duhet të sillet me Kushtetutën dhe rregulloren, dhe sepse është një njeri i marrë peng nga Klodian Zoto. Ne kemi numrin e nevojshëm për të nisur mocionin për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit”, tha Bardhi.

Për situatën e krijuar gjatë seancës plenare, Bardhi tha se deputetët e opozitës u provokuan nga kryeministri. Sipas tij, sjellja e opozitës ishte në përputhje me rregulloren dhe se në asnjë moment nuk e pengoi vijimin e rendit të ditës. Sipas Bardhit, ata kontestuan atë që e konsideroi si “show i kryeministrit me video dhe lodra”, referuar mesazhit-video nga ministrja virtuale “Diella”.

“Kryeministri i provokoi deputetët e opozitës, duke i trajtuar ata si nxënës në kopshtin e tij të korrupsionit, që ose do të silleshin siç vendos ai, ose ai do t’i vendoste kyçin seancës plenare. Në asnjë moment deputetët e opozitës nuk e kanë penguar atë që ishte rendi i ditës: prezantimi nga kryeministri i programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave. Ajo që kanë kontestuar, në përputhje me rregulloren, Kushtetutën dhe rregullat e etikës, ka qenë show i propagandës së kryeministrit me video, me kartonë dhe me lodra.

Salla e seancave plenare është institucioni kyç i shtetit shqiptar dhe rregullat e zhvillimit të seancave janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga kushdo. Ai ishte një skenar i përgatitur. Edi Rama nuk do t’i diktojë kurrë sjelljen opozitës dhe nuk do t’i mbyllë kurrë gojën opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Duhet të respektonte Kushtetutën dhe solemnitetin e një seance që është e vetmja që rendin e ditës e ka të përcaktuar nga Kushtetuta”, u shpreh Bardhi.

Kuvendi miratoi këtë të enjte (18 shtator) pa debat dhe vetëm me votat e mazhorancës programin qeverisës dhe kabinetin e ri qeveritar. Seanca, e cila zgjati vetëm 25 minuta, u shoqërua me tensione të forta, pasi opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale “Diella” në Kuvend, duke bllokuar foltoren dhe duke mos e lejuar kryeministrin Rama që të vijonte më tej me prezantimin e programit qeverisës. Kjo bëri që kreu i Kuvendit të kalonte menjëherë për votim programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme