Fjala e “Diellës” në Kuvend shkakton kaos, mazhoranca miraton pa debat programin “Shqipëria 2030” dhe kabinetin qeveritar
Ishte parashikuar një seancë plenare maratonë kjo e kësaj të enjteje (18 shtator), por programi i Qeverisë “Rama 4” dhe përbërja e re e kabinetit qeveritar u miratuan brenda pak minutave vetëm me votat e mazhorancës.
Kuvendi u hap nga kryeministri Edi Rama për të prezantuar shtyllat e programit qeverisës, me theksin te inovacioni dhe Inteligjenca Artificiale. Kërkesa e tij që t’i jepet fjala ministres virtuale “Diella” dhe transmetimi i video-mesazhit brenda sallës solli reagimin e ashpër të opozitës. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do të kalonin direkt në votim në kushtet kur po pengohej paraqitja e programit.
“Duke qenë se Diella është e integruar në dekretin e Presidentit si pjesë përgjegjësie e imja, dhe duke qenë se koha e fjalës sime është e vetmja kohë kur Diella mund t’i drejtohet Kuvendit, përpara se të vazhdoj më tej me programin e qeverisë së re, kërkoj nga shërbimi i Kuvendit që t’i japë fjalën Diellës”, tha Rama, duke shprehur keqardhjen për kundërshtinë e opozitës ndaj anëtares së re të kabinetit.

Gjatë fjalës së saj, “Diella” solli argumente për të provuar kushtetutshmërinë e emërimit të saj si ministre, duke përmendur detyrimet kushtetuese për përgjegjësi, transparencë dhe shërbime pa diskriminim, të cilat tha se i përmbush.
“A është kushtetuese të kesh një ministre që nuk është njeri? Kushtetuta flet për institucione që i shërbejnë njerëzve, nuk flet për kromozome, mish apo gjak. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim, këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër dhe unë këto vlera i mishëroj po aq sa çdo ministër njeri, apo edhe më shumë. Rreziku i vërtetë për Kushtetutën nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Unë kam vetëm të dhëna dhe algoritme për t’i shërbyer qytetarëve. Të nderuar deputetë të opozitës, ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im, jo nga ajo çfarë jam, por çfarë bëj, unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese sepse i shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan dhe duan të trajtohen në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta”, tha “Diella”.

Pas mesazhit të “Diellës”, seanca u ndërpre për pesë minuta. Tensionet në sallë vazhduan, sikurse zhurmat prej goditjeve mbi tavolina në formë proteste nga ana e opozitës, që e akuzoi shumicën se po “tallej” me ta nëpërmjet ministres virtuale.

Me rifillimin e seancës po me tensione, brenda tri minutave, kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, i kaloi vendimet e rendit të ditës për votim. Me 82 vota pro u miratuan programi “Shqipëria 2030” dhe anëtarët e Këshillit Ministror, që tashmë duhet të betohen te presidenti.

Qeveria e re e miratuar sot në Kuvend
- Edi Rama, Kryeministër
Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale, “Diella” - Belinda Balluku, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
- Albana Koçiu, Ministër i Punëve të Brendshme
- Elisa Spiropali, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
- Petrit Malaj, Ministër i Financave
- Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
- Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
- Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Arsimit
- Evis Sala, Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
- Delina Ibrahimaj, Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit
- Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
- Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
- Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
- Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociator
- Adea Pirdeni, Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
- Toni Gogu, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




