Qeveria “Rama 4” bën betimin në Presidencë. Kabineti i ri nis zyrtarisht detyrën
Një ditë pas miratimit në Kuvend të kabinetit të ri qeveritar, kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat janë betuar sot në Presidencë.
Pas betimit, sikurse është bërë traditë, Kryeministri dhe kabineti i ri e përshkuan në këmbë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në selinë e qeverisë, ku u mbajt edhe mbledhja e parë. Kryefjala e mandatit të kësaj qeverie do të jetë “Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian“.

Të premten e kaluar, më 12 shtator, Edi Rama u dekretua nga presidenti Bajram Begaj për herë të katërt si kryeministër i Shqipërisë, prej ngjitjes në krye të pushtetit ekzekutiv në vitin 2013.

Programi i qeverisë dhe anëtarët e Këshillit Ministror u miratuan me 82 vota ditën e djeshme (18 shtator), në një seancë të shoqëruar me tensione të forta.
Edhe pse ishte parashikuar një mbledhje maratonë e Kuvendit, e gjitha zgjati vetëm 25 minuta. Opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale “Diella”, duke bllokuar foltoren dhe duke mos e lejuar kryeministrin Rama që të vijonte më tej me prezantimin e programit qeverisës. Kjo bëri që kreu i Kuvendit të kalonte menjëherë për votim programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.
Ndërkohë, PD ka kërkuar përsëritjen e seancës dhe po ashtu ka njoftuar se do të fillojë procedurat për mocion për shkarkimin e Peleshit si kryetar i Kuvendit.
Përbërja e Qeverisë
- Edi Rama, Kryeministër
Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale, “Diella” - Belinda Balluku, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
- Elisa Spiropali, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
- Albana Koçiu, Ministër i Punëve të Brendshme
- Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
- Petrit Malaj, Ministër i Financave
- Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
- Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Arsimit
- Evis Sala, Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
- Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Delina Ibrahimaj, Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit
- Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
- Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
- Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociator
- Adea Pirdeni, Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
- Toni Gogu, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
- Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




