Frederiksen: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, kërcënim për të gjithë Evropën

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen deklaroi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës përbën një kërcënim për të gjithë Evropën, duke shprehur mbështetjen e saj për propozimin e Komisionit Evropian për të financuar hua riparuese për Ukrainën përmes aseteve të ngrira ruse.
Këto komente Frederiksen para fillimit të një takimi joformal të Këshillit Evropian, të cilin Danimarka e organizon si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian.
Të enjten, Kopenhageni do të presë samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku do të marrin pjesë 45 liderë evropianë, përfshirë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Duke folur përpara takimit të Këshillit Evropian, Frederiksen përvijoi prioritetet kryesore të diskutimeve: “Detyra dhe qëllimi ynë kryesor është, natyrisht, të diskutojmë për sigurinë dhe parandalimin mbrojtës, përfshirë dronët, dhe ndihmën për Ukrainën. Çështja e migrimit do të jetë gjithashtu në agjendë.”
Ajo theksoi se Danimarka mbështet propozimin e Komisionit Evropian për të ashtuquajturat hua riparuese për Ukrainën, të cilat do të bazoheshin në asetet e ngrira ruse.
“Po, ne e mbështesim. Gjatë gjithë kësaj lufte kemi mbështetur që Evropa të bëjë më shumë, gjithashtu në çështjen e financimit, dhe mendoj se ideja e Komisionit është në të vërtetë një rrugë e mirë përpara,” tha Frederiksen.
Megjithatë, ajo vuri në dukje se ka ende “disa çështje ligjore që duhen adresuar”.
“Jam e sigurt se do të gjejmë një zgjidhje për këtë çështje, por ideja e përdorimit të aseteve të ngrira, mendoj, është një ide e mirë,” shtoi ajo, duke e cilësuar propozimin si një hap inovativ për të mbështetur rindërtimin e Ukrainës, e cila ka pësuar dëme të mëdha nga lufta e nisur nga Rusia në shkurt 2022.
Frederiksen theksoi nevojën për një qëndrim të unifikuar evropian përballë kërcënimeve ruse, duke e cilësuar luftën në Ukrainë jo vetëm si një konflikt lokal, por si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e gjithë Evropës.
“Duhet të ketë një qëllim të përbashkët evropian për këtë çështje. Përndryshe, do të jemi të ndarë, dhe kjo është rruga e gabuar për Evropën. Mendoj se duhet të lëmë perspektivën kombëtare, të flasim për sigurinë në Evropë dhe ta shohim luftën hibride që po zhvillohet, dhe ta shohim luftën në Ukrainë jo si një luftë në një vend evropian, Ukrainën, por si një përpjekje të Rusisë për të na kërcënuar të gjithëve,” u shpreh ajo.
Ajo argumentoi se shikimi i situatës nga një perspektivë evropiane, dhe jo kombëtare, do të ndihmojë në unifikimin e qëndrimeve të vendeve të BE-së.
“Nëse shohim Ukrainën nga një perspektivë evropiane, jo nga një perspektivë kombëtare, nëse shohim Rusinë dhe luftën hibride nga një perspektivë evropiane, jo nga perspektiva jonë kombëtare, atëherë mendoj se të gjithë duhet të jemi në të njëjtën linjë që ne të gjithë duhet të riarmatosemi,” tha Frederiksen, duke bërë thirrje për një përgjigje të fortë dhe kolektive.
Kryeministrja daneze u ndal veçanërisht te rritja e kërcënimeve hibride nga Rusia, duke përmendur incidentet e fundit me dronë dhe shkeljet e hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s. “Tani të gjithë janë të vetëdijshëm se ka një luftë hibride, dhe sot është Polonia, të nesërmen Danimarka, dhe javën tjetër ndoshta diku tjetër. Pra, unë e shoh nga një perspektivë evropiane. Ka vetëm një vend që është gati të na kërcënojë, dhe ky është Rusia, dhe për këtë arsye na duhet një përgjigje shumë e fortë,” deklaroi ajo.
Frederiksen e cilësoi situatën aktuale si “më të vështirën dhe më të rrezikshmen që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.
Ajo theksoi se lufta hibride e Rusisë përfshin jo vetëm kërcënime ushtarake, por edhe “kryerjen e të gjitha llojeve të krimeve” kundër vendeve evropiane, përfshirë sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit.
Incidentet e fundit, si rrëzimi i tre dronëve rusë në Poloni më 10 shtator, fluturimi i një droni rus mbi Rumaninë për gati një orë më 13 shtator dhe shkelja e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë MiG-31 më 19 shtator, kanë rritur shqetësimet për një eskalim të mundshëm.
Në lidhje me kërcënimin e dronëve, Frederiksen shprehu mbështetjen e saj për masa më të ashpra, duke thënë: “Unë mbështes që Danimarka të ketë një mandat për të provuar t’i rrëzojë ata.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



