Arrestimet në Orosh, Beci: Ekstremizmi i dhunshëm mbetet rrezik real për Shqipërinë

Aktualitet | 11 muaj më parë

Në emisionin “Trialog” të moderuar nga Alba Alishani në RTSH 1 HD, u trajtua tema e rrezikut nga ekstremizmi i dhunshëm, në kuadër të arrestimit të Hamza (Erzen) Ukës dhe Julian Cumrakut në Orosh.

Diskutimi u fokusua tek situata aktuale e sigurisë dhe kapacitetet e shtetit për të përballuar fenomenin e radikalizimit.

Avokati dhe ish-prokurori Eugen Beci, duke u mbështetur në eksperiencën e tij, bëri një analizë të gjendjes së ekstremizmit të dhunshëm në vend.

Ai theksoi se një nga të arrestuarit, Hamza Uka, ishte ndaluar edhe në vitin 2019 për veprën penale të stërvitjes me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste, nxitjes së urrejtjes dhe prodhimit e mbajtjes së municioneve luftarake.

Beci nënvizoi se nga ky aksion duhen nxjerrë dy përfundime të rëndësishme.

“Së pari, personazhi është periferik dhe nuk kemi pse ta trajtojmë si kryesorin që do të bëjë gjithçka përsa i përket terrorizmit. Së dyti, duhet të analizojmë nëse ekziston ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri dhe a ka kapacitete shteti që të deradikalizojë këta persona, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike që kanë përfunduar në Shqipëri,” tha ai.

Duke e krahasuar rastin e fundit me subjekte të tjera më të rënda, Beci u shpreh se “në Shqipëri ka subjekte shumë më të rënda që merren me veprimtari ekstremisht të dhunshme sesa ky personazh që u arrestua dy ditë më parë.”

Ai shtoi se institucionet duket se kanë ulur vigjilencën pas zhdukjes së “shtetit Daesh” disa vite më parë, duke ia lënë përgjegjësinë kryesore Drejtorisë Antiterror, e cila sipas tij qëndron në alert gjatë gjithë kohës.

Nga përvoja e tij si ish-prokuror, Beci evidentoi edhe zonat më të nxehta të ekstremizmit të dhunshëm në vend.

“Hartografia e kësaj rrezikshmërie është për shkak të çështjeve penale që kemi pasur. Fillon nga Elbasani, Pogradeci, Korça dhe vazhdojmë me Bulqizën, ndërsa sigurisht përfshihet edhe Tirana. Këtu janë të përqendruar elementet e ekstremizmit të dhunshëm fetar,” deklaroi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme