81-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, Peleshi: Gjaku i dëshmorëve shkroi kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë

Në 81-vjetorin e Çlirimit të vendit, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku nderoi kujtimin e luftëtarëve që sakrifikuan jetën për lirinë e Shqipërisë.
Gjatë mesazhit të tij, Kryetari Peleshi theksoi se “Sot nderojmë çlirimtarët e atdheut, që, me heroizëm dhe trimëri, i hapën rrugën lirisë së Shqipërisë. Sakrificat e popullit shqiptar dhe gjaku i dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare shkruajtën një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë.”
Peleshi shtoi se trashëgimia e të rënëve mbetet një busull morale për brezat e sotëm: “Trashëgimia e tyre vazhdon të jetë një pikë referimi për brezat, një kujtim i gjallë për çmimin që ka arritja e lirisë, dhe një mësim për përgjegjësinë tonë për ta mbrojtur atë.”
Ceremonia u zhvillua në praninë e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, veteranëve e pasardhësve, familjarëve të dëshmorëve dhe qytetarëve, si pjesë e aktiviteteve zyrtare të përvjetorit të Çlirimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.










