Goditja ndaj ndërtimeve pa leje-Ministrja Koçiu në Farkë: Ata që ndërtojnë sipas lejes dhe me dokumentacion të rregullt, aleatët tanë

Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu ka vizituar zonën e Farkës, ku prej tre javësh po vijon pa ndërprerje operacioni për verifikimin e lejeve të ndërtimit dhe standardeve të sigurisë.
Gjatë inspektimit, ajo bëri të ditur se deri më tani janë kontrolluar 26 komplekse rezidenciale me 581 vila dhe godina kolektive.
Nga këto inspektime janë konstatuar rreth 4.500 metra katrorë shtesa pa leje; gjysma e sipërfaqes është prishur menjëherë nga vetë pronarët dhe ndërtuesit, ndërsa për pjesën tjetër po ndiqet procedura e konfiskimit për interes publik ose strehim social.
Për shkeljet e evidentuara janë vendosur 247 milionë lekë (rreth 2.5 milionë euro) gjoba administrative.
Ajo ka theksuar se kuadri i ri ligjor parashikon konfiskim ose prishje të plotë për çdo objekt që tejkalon lejen e ndërtimit, duke mos lejuar që abuzimi ekonomik të shpërblehet kurrë.
“Për çdo objekt ku zbulohet tejkalim i lejes ndërtimore, ai konfiskohet për interes publik ose për strehim social, ose prishen të gjitha ndërtimet e kryera,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se ky mekanizëm shërben për të mos lejuar që abuzimi ekonomik të shpërblehet.
Ministrja u shpreh se qëllimi i operacionit nuk është penalizimi i industrisë së ndërtimit, por ngritja e standardeve dhe mbrojtja e qytetarëve.
“Dua ta theksoj me forcë, ky operacion nuk ka synim të ndëshkojë industrinë e ndërtimit, ka synim të rritë standardin, të mbrojë qytetarët, të sigurojë që ata që zbatojnë ligjin të mos konkurrohen padrejtësisht nga ata që e shkelin atë. Të gjithë ata që ndërtojnë sipas lejes, me dokumentacion të rregullt e me standarde janë aleatët tanë në këtë proces”, ndërsa ajo vuri në dukje se “ky proces nuk do të zgjasë tre javë, as deri në fund të sezonit. Do të vazhdojë derisa rregulli, standardi dhe përgjegjësia të jenë norma e vetme në territor”, nënvizoi drejtuesja e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në përmbyllje, ministrja Koçiu tha se vendosmëria për të vendosur rregull e transparencë në sektorin e ndërtimit është tashmë standardi i përditshëm i punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




