“Hajde zemër në Shqipëri”, nënë e bijë në Fest64, Ermira e Luna Çausholli rrëfejnë historinë e këngës që u shkrua në lot
Luna Çausholli rikthehet për herë të tretë në Festivalin e Këngës në RTSH. Këtë edicion ajo prezantohet me këngën “Pa kufij”, me muzikë nga vetë ajo dhe Kledi Bahiti, ndërsa teksti shkruar prej nënës së saj, gazetares dhe moderatores Ermira Çausholli.
Nënë e bijë ishin sot të ftuarat e Andri Xhahut në emisionin “Në Radio” për të zbuluar më shumë detaje nga kënga konkurruese në Fest64. “Këtë herë donim të vinim në festival me një këngë fituese, jo në kuptimin për të fituar festivalin dhe për të shkuar në Eurovizion, por për të përcjellë mesazhin e duhur”, tha Luna, e cila zbulon se e ëma lotoi kur dëgjoi versionin e parë të këngës që kishte punuar në studio bashkë me Kledin. “Pasi bëmë demon e parë, mami filloi të qajë nga emocioni i madh kur e dëgjoi. Merr bllokun në orën dy të drekës dhe e mbaron tekstin në orën një të natës”.
Ermira shpjegon se kënga vjen me një mesazh të rëndësishëm në prag të një ngjarje historike për vendin tonë, siç është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ne jemi tre breza autorësh të kësaj kënge. Unë i takoj brezit i cili e ëndërroi Shqipërinë si gjithë Evropa. Një fëmijë që bërtiste bashkë me turmën ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’. Ndoshta në atë moment nuk e kuptoja rëndësinë por me kalimin e kohës e kuptova. Kledi Bahiti, që është një nga autorët e muzikës, është brezi tjetër pas meje i cili u lodh dhe u stërmundua për ta parë Shqipërinë në Evropë, por nuk ia doli. Ndërkohë është Luna, brezi që nuk pret më të zvarritet rrugëve dhe të kërkojë Evropën, por tash është e sigurt t’i thotë Evropës ‘hajde zemër në Shqipëri’. E bën këtë gjë me dinjitet duke i thënë shih vlerat e mia që i kam kaherë, unë jam pjesë e Evropës, jam e lindur këtu, i takoj Evropës siç Evropa më takon mua. Kufiri i fundit është Shqipëria, por s’ka për të qenë më. Ky brez do ta gëzojë Evropën dhe Evropa do t’i gëzojë ata”.
Më tej, Ermira shprehet se u bë kohë që ngjarjet patriotike e kombëtare shoqërohen me këngët e Vaçe Zelës, por ka ardhur koha për një këngë të re në një moment të rëndësishëm si ky që vendi ynë pret. “Vaçe Zela është një ikonë dhe divë e pakrahasueshme, një dhe e vetme, unike. Këngët e saj do këndohen ndër breza. Por është momenti që në këtë kohë që jetojmë, me një ngjarje të re historike që ndodh vetëm një herë në jetë, integrimi i Shqipërisë në Evropë, duhet të kishte një këngë dhe ky çast”.
“Pa kufij” është një këngë ‘traditional pop’ me shumë elementë brenda. “Ka motivet e Eposit të Kreshnikëve, të këngëve të festivaleve që janë një pasuri e paçmuar e kulturës sonë, ka kolonat zanore të filmave shqiptarë, ka iso, thirrjet nëpër male, ka çiftelinë, fyellin, kitarën elektrike dhe tupanat”, shprehet Ermira, e cila zbulon dhe disa detaje nga performanca skenike. “Do të jenë katër balerina profesioniste që do shoqërojnë Lunën, e cila do jetë me kitarë elektrike. Do ketë tupana dhe ndoshta një shami të bukur, ai element i nënave shqiptare që ua jepnin vajzave të tyre kur kërcenin ditën e dasmës”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




