Specie e rrallë në lumin e Gashit, kamerat kurth zbulojnë gjelin e egër në zonat e mbrojtura
Në vijim të punës për mbikëqyrjen e biodiversitetit, Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura ka vendosur një sërë kamerash kurth në territorin e bashkisë Kukës.
Sipas drejtorit të ADZM-së, Lefter Gjane, instalimi i këtyre pajisjeve synon të ofrojë një vëzhgim më të saktë të faunës së egër që jeton brenda kufijve të zonave të mbrojtura.
“Ne vazhdimisht bëjmë monitorim të faunës së egër, bazuar në protokollet e monitorimit. Kemi evidentuar këtë vit një specie të rrallë, që është gjeli i egër; kjo specie nuk haset shpesh. Gjithashtu i është shtuar listës edhe dhia e egër“, tha Gjane.
Përmes kamerave kurth është konstatuar prezenca e disa llojeve të kafshëve të egra, të cilat zakonisht është e vështirë të regjistrohen gjatë patrullimeve të zakonshme në terren.
“Nga kamerat kurth kemi bërë monitorime dhe kemi konstatuar si derrin e egër, ariun, ujkun — pra kafshë të egra që janë konstatuar vetëm gjatë këtij viti”, tha ai.
Në vijim të projektit monitorues, në muajin janar parashikohet që kamerat kurth të vendosen edhe në shtigje të tjera të zonave të mbrojtura, duke zgjeruar kështu hartën e vëzhgimit.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




