Sulmi terrorist në Australi me 15 të vdekur, liderët botërorë dënojnë aktin e rëndë

Botë | 11 muaj më parë

Sulmi terrorist që ndodhi në Sindej të Australisë dhe që shkaktoi 12 të vdekur mes tyre edhe një të mitur 12 vjeçar ka sjellë reagime në mbarë botën.

Duke nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Emiratet e Bashkuara Arabe, Franca, Holanda, Italia, Shqipëria etj.

Fillimisht ishte kryeministri australian Anthony Albanese i cili e konsideroi sulmin si “akt antisemit” dhe “terrorizëm që godet zemrën e kombit tonë“, duke premtuar mbështetje të plotë për komunitetin hebre: “Si kryeministër, në emër të të gjithë australianeve, u them hebrenjve: Ne qëndrojmë me ju, ju përqafojmë dhe ripohojmë se keni çdo të drejtë të jeni krenarë për atë që jeni dhe çfarë besoni. Keni të drejtë të adhuroni, studioni, punoni dhe jetoni në paqe e siguri”, u shpreh ai.

SHBA

Duke folur përkrah gruas së tij Melania, Trump e quajti sulmin si ‘antisemit’. Sekretari i Shtetit i SHBA Marco Rubio dënoi gjithashtu sulmin.

“Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë. Lutjet tona janë me viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm, komunitetin hebre dhe njerëzit e Australisë, ” ai shkroi në një post në X.

Izraeli

Presidenti izraelit Isaac Herzog e përshkroi sulmin si “mizor ”. “Vëllezërit dhe motrat tona në Sidnej janë sulmuar nga terroristët nga sulmi mizor ndaj hebrenjve. Ne i bëmë thirrje qeverisë australiane të ndërmarrë veprime dhe të luftojë kundër valës së madhe të antisemitizmit që po pllakos shoqërinë australiane, tha Herzog tha në një deklaratë.

Palestina

Ministria e Jashtme Palestineze dënoi sulmin dhe tha se “rithekson refuzimin e saj të vendosur për të gjitha format e dhunës, terrorizmit dhe ekstremizmit, të cilat kundërshtojnë vlerat humanitare ”.

Ajo shprehu “solidaritet të plotë ” me “Australinë miqësore ”.

Mbretëria e Bashkuar

Keir Starmer, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, deklaroi: “Lajme thellësisht shqetësuese nga Australia. Mbretëria e Bashkuar u dërgon mendimet dhe ngushëllimet tona të gjithëve të prekurve nga sulmi i tmerrshëm në Bondi Beach. ”

Po ashtu mbreti Charles, kreu ceremonial i shtetit për Australinë, reagoi ndaj të shtënave vdekjeprurëse në Bondi Beach. “Gruaja ime dhe unë jemi të tmerruar dhe të pikëlluar nga sulmi terrorist antisemitik më i llahtarshëm ndaj popullit hebre që morën pjesë në festimin Chanukah në Bondi Beach, ” tha mbreti në një deklaratë të postuar në X.

Gjermania

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se ishte i tronditur nga sulmi terrorist.

“Sulmi antisemitik në plazhin Bondi gjatë Hanukkah më lë të tronditur plotësisht. Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ky është një sulm ndaj vlerave tona të përbashkëta. Ne duhet të luftojmë antisemitizmin – këtu në Gjermani dhe në mbarë botën, tha ” Merz.

Francë

Emmanuel Macron, presidenti i Francës, tha se vendi i tij do të vazhdojë të luftojë kundër antisemitizmit.

“Franca u shpreh ngushëllimet  e saj viktimave, të plagosurve dhe të dashurve të tyre. Ne ndajmë dhimbjen e popullit australian dhe do të vazhdojmë të luftojmë pa mëshirë kundër urrejtjes antisemitike, e cila na dëmton të gjithëve kudo ku godet, tha Macron ”.

Holanda

Dick Schoof, kryeministri Hollandez, deklaroi: “Raporte tronditëse dhe alarmante nga Australia për një sulm të tmerrshëm në Sidnej që ka lënë shumë njerëz të vdekur dhe të plagosur. U kam përcjellë ngushëllimet dhe mbështetjen time për kryeministrin Albanese në këtë ditë të errët për Australinë. ”

Finlanda

Alexander Stubb, presidenti i Finlandës, shprehu ngushëllimet e tij për hebrenjtë e Australisë.

“Sulmi terrorist në festën Hanukkah në plazhin Bondi ishte tronditës dhe shkatërrues. Mendimet tona janë me familjet dhe të dashurit e viktimave, si dhe tërë komunitetin hebre në Australi, tha ” Stubb.

Irani

Teherani dënoi aktin terrorist. “Dënojmë sulmin e dhunshëm në Sidnej, Australi. Terrori dhe vrasja e qenieve njerëzore, kudo që është kryer, refuzohet dhe dënohet, ” Baghaei tha në X, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Bashkimi Evropian

Presidenti i Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha që ajo ishte “e tronditur ” nga të shtënat.

“Shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta familjeve dhe të dashurve të viktimave. ”

Kaja Kallas, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, tha se akti i tmerrshëm i dhunës ndaj komunitetit hebre duhet të dënohet pa mëdyshje.

Norvegjia

Jonas Gahr Store, kryeministri i Norvegjisë, tha se ai ishte “i tronditur nga sulmi i tmerrshëm në Bondi Beach, Australi, gjatë një ngjarje hebreje Hanukkah ”.

Italia

Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë, tha se ajo dënon “me vendosmëri çdo formë dhune dhe antisemitizmi ”.

“Italia shpreh pikëllimin për viktimat, qëndron në solidaritet me të afërmit e tyre, të dëmtuarit dhe komunitetet hebreje dhe ndaj popullit australian, ” tha Meloni.

Shqipëria

Presidenti Bajram Begaj ka dënuar sulmin terrorist në Bondi Beach të Australisë ku gjetën vdekjen 12 persona, përfshirë edhe një nga autorët (i vrarë në vendngjarje), ndërsa u plagosën 29 të tjerë disa në gjendje kritike, përfshirë dy oficerë policie.

Në mesazhin e tij drejtuar familjeve të viktimave në Australi, kreu i shtetit shqiptar shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit.

Begaj thekson më tej se “Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Australinë, popullin australian kundër terrorizmit urrejtjes”.

“Dënoj me forcë sulmin terrorist në Bondi Beach, Australi. Ngushëllime familjeve të viktimave të pafajshme, shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria është në solidaritet të plotë me Australinë kundër terrorizmit dhe urrejtjes.” shkruan në mesazhin e tij presidenti Begaj.

Spanja

Jose Manuel Albares, ministri i Jashtëm i Spanjës, tha se ai ishte “i tronditur ” nga sulmi.

“Shpreh solidaritetin tim me viktimat dhe të dashurit e tyre, me njerëzit dhe qeverinë e Australisë. Urrejtja, antisemitizmi dhe dhuna nuk kanë vend në shoqëritë tona ”, theksoi ai.

Republika e Irlandës

Helen McEntee, ministri i Jashtëm i Irlandës, tha: “Jam thellësisht i tronditur për sulmin antisemitik ndaj komunitetit hebre që feston ditën e parë të Hanukkah. … Të gjitha mendimet e mia janë me viktimat dhe të dashurit e tyre dhe popullin e Australisë. ”

Katari

Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit dënoi sulmin dhe shprehu ngushëllimet për familjet e prekura.

“Katari deklaron pozicionin e tij duke dënuar dhunën, terrorizmin dhe kriminalitetin, pavarësisht nga motivet, ” tha Ministria e Jashtme.

Turqia

Ministria e Jashtme turke “dënoi me forcë ” sulmin. Ajo u shprehu ngushëllime familjeve të atyre që humbën jetën dhe popullit Australian.

“Si Turqi, ne ritheksojmë qëndrimin tonë parimor kundër të gjitha formave dhe manifestimeve të terrorizmit dhe angazhimit tonë për bashkëpunim në luftën kundër këtij kërcënimi global, ” tha Ministria në një deklaratë.

Libani

Presidenti libanez Joseph Aoun tha: “Ashtu siç ne dënojmë këtë sulm ashtu dënojmë edhe sulmet ndaj civilëve të pafajshëm në Gazë, Libani jugor, ne dënojmë, me të njëjtin parim atë që ndodhi në Sidnej. Përgjegjësia për këto tragjedi qëndron në sistemet që përhapin idetë e urrejtjes, ekstremizmit, refuzimit të tjetrit dhe ndjekjes së dhunshme të sistemeve monopole fetare, etnike ose politike … ”

Lidhja Botërore Myslimane

Lidhja Botërore Myslimane tha se “dënon me forcë sulmin terrorist”. Në një deklaratë për mediat, organizata ndërkombëtare joqeveritare islamike citoi Sekretarin e saj të Përgjithshëm Mohammad bin Abdulkarim Al-Issa duke thënë se populli mysliman “dënon terrorizmin dhe dhunën në të gjitha format e saj”.

Arabia Saudite

Ministria e Jashtme Saudite tha se mbretëria “dënon sulmin terrorist në Sidnej dhe riafirmon qëndrimin e saj kundër të gjitha formave të dhunës, terrorizmit dhe ekstremizmit “.

Emiratet e Bashkuara Arabe

Ministria e Jashtme e Emiratet e Bashkuara Arabe tha se vendi “dënon me forcë vepra të tilla kriminale ” dhe refuzon “të gjitha format e dhunës dhe terrorizmit ” që synojnë të minojnë sigurinë dhe stabilitetin.

“Ministria gjithashtu shprehu ngushëllimet dhe simpatinë e saj të sinqertë për familjet e viktimave, dhe për qeverinë dhe njerëzit e Australisë, si dhe dëshirat e saj për një rikuperim të shpejtë për të dëmtuarit, ” tha në një deklaratë.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Zohran Mamdani

Mamdani e quajti sulmin një veprim të mbrapshtë “të terrorit antisemitik ”.

“Një komunitet tjetër hebre ra në zi, një festë u kthye në dhimbje. Ky sulm është thjesht përsëritja më e fundit, më tmerruese e modelit në rritje të dhunës ndaj popullit hebre në të gjithë botën ”, shkroi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme